Rreth 1100 fëmijë, të lindur jashtë Shqipërisë janë të paregjistruar në gjendje civile. Prindërit e tyre, pjesa më e madhe, janë të kthyer nga vende të BE-së, pasi u është refuzuar azili apo janë gjetur pa dokumente.

Ata pajisen me certifikata lindje, por që janë pa vulë apostile. Për këtë arsye gjendja civile e ka të pamundur ligjërisht regjistrimin e tyre. Fiks Fare ndoqi rastin e dy vajzave të vogla të lindura në Suedi, babai i të cilave u ankua në Fiks Fare pasi kishte më shumë se një vit që nuk arrinte t’i regjistronte.

Sipas babait të vajzave, ata kanë jetuar në shtetin Suedez për rreth 4 vjet. Gjatë kësaj periudhe kanë lindur edhe vajzat e tyre. Në pamundësi për të bërë dokumentet ata u kthyen nga policia Suedeze bashkë me vajzat dhe nuk kanë më mundësi të kthehen. Kur kanë vajtur për të regjistruar vajzat në gjendjen civile, kanë vënë re që dokumentacioni i certifikatave të lindjes se vajzave nuk ishte i plotë. Mungonte vula apositile. Fiksi u interesua edhe pranë zyrës së gjendjes civile ku u informua që ishte e pamundur nga ana e tyre të regjistrohej ky rast për shkak të mungesës së vulës. Punonjësit e kishin drejtuar tek Ndihma Ligjore Falas. Të intervistuar nga gazetarët ata konfirmuan se janë marrë me këtë rast dhe se ndihmesa e tyre ka qenë maksimale për koordinimin e punës mes institucioneve të Shqipërisë dhe atyre të Suedisë. Sipas eksperiencës së tyre këto procedura marrin nga gjashtë deri në 8 muaj. Por ndërkohë fëmijët nuk janë të privuar as nga arsimimi dhe as nga mjekimi edhe pse janë të paregjistruar pasi kjo situatë është rregulluar me një VKM që prej vitit 2015.

Vetëm pak ditë pas interesimit të Fiksit, gazetarët morën një telefonatë nga babai i vajzave. Ai falënderon emisionin Fiks Fare , se dokumentacioni i saktë ka mbërritur vetëm disa ditë më vonë, pas interesimit të gazetarëve .

Ai është marrë nga gjendja civile ne telefon dhe është lajmëruar që dokumentet kanë ardhur dhe në këtë mënyrë ishte bërë e mundur edhe regjistrimi i vajzave. Por situata ligjore ka ndryshuar edhe për fëmijët e tjerë që nuk kanë mundur të regjistrohen deri më sot. Sipas një njoftimi të bërë nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile me datë 11 Tetor Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për Gjendjen Civile. Ku ndër të tjera cilësohet se për fëmijët e lindur jashtë territorit të Shqipërisë, që në aktet e tyre të lindjeve kanë pasaktësi apo janë të paplota, gjykata me anë të Vërtetimit të Faktit Juridik, do detyrojë zyrat e Gjendjes Civile të bëjnë regjistrimin e tyre.

Top Channel