Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se vendi i tij zotohet për zgjidhje kompromisi për Kosovën, por kjo nuk do të thotë se ajo duhet të humbë gjithçka.

Sidoqoftë, ai paralajmëroi se nuk do të ketë njohje të Pavarësisë së Kosovës nën presionin ndërkombëtar, gjë që e bëri në një konferencë për shtyp pas përfundimit të Forumit të Sigurisë në Beograd.

“Serbia nuk e sheh Kosovën si territor të pavarur dhe sovran. Kemi qëndrime të ndryshme me shqiptarët në Kosovë dhe për këtë duhet të ulemi të bisedojmë. Ne duam me të vërtetë të arrijmë kompromis, një marrëveshje, por duhet të jetë e qartë se askush nuk mund ta detyrojë Serbinë ta pranojë Kosovën si shtet. Një gjë e tillë nuk do të ndodhë”, tha Vuçiç.

Vuçiç ka folur edhe rreth anëtarësimit të mundshëm të Kosovës në INTERPOL në muajin nëntor.

“Ditën kur Kosova do të hyjë në INTERPOL, do të shihni mijëra urdhra kundër serbëve, të gjitha të sajuara. Do t’i arrestojnë, do t’i ngacmojnë dhe do t’i rrahin, e pastaj do t’i lëshojnë pas 6 muajsh”, tha më tej Vuçiç.

Ai u shpreh po ashtu kundër krijimit të ushtrisë së Kosovës.

“Amerikanët po nxisin këto gjëra në Kosovë, që janë një problem serioz për ne. Ne do të bëjmë çmos për të ruajtur paqen e stabilitetin, si dhe për të mbrojtur interesin e popullit serb. Por, e gjitha kjo nuk do të jetë e lehtë”, deklaroi Vuçiç.

Vuçic tha se të gjitha vendet e rajonit kanë nevojë për paqe dhe do të jetë më mirë nëse do të ketë kufij të hapur, investime dhe lëvizje të lirë të mallrave, pasi kjo do të garantonte një të ardhme më të mirë për të gjithë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA