Demokracia, në rrezik! Thirrja për një monitorim më të mirë në vendet e BE

10/10/2018 16:01

Eksperiencat negative në disa vende, sfidat e reja që paraqet zhvillimi teknologjik e hovi i platformave sociale apo agresioni kibernetik, kanë bërë të shtrohet ideja e një përmirësimi të mekanizmave monitorues të zgjedhjeve nga Bashkimi Europian.

Edhe pse misionet zgjedhore të bllokut janë sot më të sofistikuara e më profesionale se më parë, demokracia është në rënie dhe vështirësitë me të cilat përballen ekipet në fjalë të mëdha.

Ata nuk janë gjithmonë të mirëpritur dhe, kur vëzhguesit arrijnë të diktojnë manipulime ndodh që edhe të injorohen. Ndaj dhe në artikullin e publikuar nga “EuObserver”, Marta Martinelli, drejtoreshë e zyrës së marrëdhënieve me jashtë të BE-së, si dhe Bram Dijkstra e Institutit “Open Society European Policy”, propozojnë reformimin duke nisur nga mbikëqyrja e demokracisë si e tërë dhe jo vetëm e zgjedhjeve në veçanti.

“Manipulimi i zgjedhjeve, theksojnë ata, – është më shumë sesa hedhja e votave në një kuti votimi, e në plot raste ndodh që përpara ditës së zgjedhjeve”.

“Udhëheqësit autoritarë, – thuhet në shkrim, – janë bërë ‘mjeshtra’ të organizimit të zgjedhjeve që duken mjaftueshëm të mira e të rregullta, ndërsa gjurmojnë rrugët gjithmonë më të zgjuara për të mashtruar monitoruesit ndërkombëtarë”.

Ndaj dhe paraqitet ideja e një ndryshimi në mënyrën e operimit dhe të të menduarit, me qëllimin që vëzhguesit e huaj të arrijnë ta gjurmojnë manipulimin përpara se të bëhet “rregullimi”. Kështu mund të angazhohen më shumë edhe vëzhguesit lokalë dhe grupet e shoqërisë civile në terren.

“Nëse BE-ja, – thonë Martinelli dhe Dijkstra, – mbështetet më fort tek aktorët lokalë për periudhën ndërmjet zgjedhjeve, ajo duhet të ndihmojë që të sigurohet një shoqëri civile e qëndrueshme për t’i mbështetur këta aktorë”. Ndër të tjera përmendet po kështu edhe rëndësia e përballjes me fushatat e dezinformimit, të cilat përbëjnë një kërcënim në rritje për integritetin zgjedhor.

Top Channel