Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se me liberalizimin e vizave, Kosova nuk do të eksportojë azilkërkues, kriminelë apo pasiguri në Evropë, por qytetarë të ndershëm që duan të jenë të barabartë me qytetarët e tjerë evropianë.
Këto komente, Haradinaj i bëri gjatë Takimit të Nivelit të Lartë të Sundimit të Ligjit, i cili mbledh krerët e të gjitha institucioneve të Kosovës nga fusha e sundimit të ligjit, përfshirë edhe përfaqësues ndërkombëtarë, njofton Radio Europa e Lirë.
Në këtë takim u diskutua për rastet e shënjestruara, që kanë të bëjnë me luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe migrimin ilegal.
Kryeministri Haradinaj theksoi se kjo dukuri ka shënuar rënie, duke vlerësuar, siç tha, angazhimin e të gjitha institucioneve të Kosovës për ndaljen e dukurisë së migrimeve ilegale të qytetarëve të Kosovës për në vendet e BE-së.
“Ne kemi bërë punë të mirë në stopimin e fluksit potencial. Shifrat e azilkërkuesve kanë rënë në mënyrë drastike. Nga viti 2015 deri më sot kemi rënie të azilkërkuesve me mbi 95 për qind; prej 67 mijë më 2015 kemi rënie në 2,800 në vitin 2018”, tha Haradinaj.
“Por, ne duhet të punojmë më shumë, qytetarët tanë duhet ta dinë se e ardhmja e tyre është në Kosovë, me Kosovën në BE. Kosova nuk do të eksportojë kriminalitet dhe pasiguri në BE, por qytetarë të ndershëm, turistë, studentë, sipërmarrës dhe njerëz që do të udhëtojnë në BE për nevoja pune”, tha Haradinaj.
Sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, të dhënat tregojnë se rënia e numrit të azilkërkuesve nga Kosova në vendet anëtare të Bashkimit Evropian vjen si rezultat i kontrollit efikas të kufijve, ndjekjes së kontrabandës dhe trafikimit me qenie njerëzore dhe bashkëpunimit rajonal.
Institucionet e Kosovës u tha se morën mbështetjen dhe inkurajimin për të vazhduar punën edhe nga e ngarkuara me punë në Misionin e Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës, Colleen Hyland, shefja e Misionit të BE-së, Nataliya Apostolova, dhe shefja e misionit evropian për sundimin e ligjit EULEX, Alexandra Papadopoulos, derisa pjesë e takimit ishte edhe shefja e Misionit të USAID-it, Lisa Magno.
Top Channel