Katër shkolla u mbyllën këtë javë në Angli, nga frika për sigurinë e fëmijëve.

Një krijesë e egër bëri që drejtorët ta merrnin këtë vendim ekstrem. Por duhej të kishte qenë ditë për të festuar, për faktin që në Londër, në vendin më të zhveshur nga natyra, pikërisht në ditën e kafshëve, doli që veç njerëzve jetonin edhe krijesa të tjera.

Po ç’ishte kjo krijesë kaq e tmerrshme që i bëri drejtorët të mbyllnin shkollat? Ndonjë tigër i arratisur nga kopshti zoologjik? Ujku i parë i egër në Angli, për të paktën katër shekujt e fundit? Mos ndoshta disa shkencëtarëve të çmendur u kishte shpëtuar nga laboratorët ndonjë mamuth që po e rikthenin në jetë? Apo mos ishte shfaqur ndonjë peshkaqen i bardhë në lumin Tamiz?

Jo, kërcënimi që vuri në rrezik arsimin e fëmijëve, duke u krijuar dhimbje koke prindërve që duhej të shkonin në punë, ishte një lloj merimange e padëmshme.

Merimanga që u mendua se ishte vejushë të zezë, sipas profesionistëve të shoqatës “Buglife” (Jeta e Kandrrave), në fakt ishte merimangë vetmitare dhe e padëmshme. Ka jetuar prej dhjetëra vitesh mes anglezëve, nëpër shtëpi e shkolla, pa dyshim që edhe nëpër spitale. Sipas Buglife, nëpër Europë ka pasur vetëm dy raste që këto merimanga të kenë pickuar dikë. Kanë qenë pickime jo më të rënda se ai i bletëve, me kruajtje si të hithrave. A janë mbyllur ndonjëherë shkollat për këto krijesa? Po t’i analizojmë insektet me racionalizëm, bleta dhe qentë e shtëpisë do të ishin kafshë më të rrezikshme se këto. Sigurisht që më pak të dëmshme se përbindëshat që rrokullisin rrotat para derës së shkollave, për të çuar fëmijët, e që vjellin tymra helmues çdo ditë të bekuar.

Ky rast do të kishte qenë komik, por të mos ishte kaq tragjik. Kur politikanët  thonë që njerëzit janë lodhur me fjalë ekspertësh, do të thotë që s’na pret asgjë e mirë. Kur shkollat nuk këshillohen me ekspertë, por i bëjnë edhe fëmijët që të jenë paragjykues, kjo është më shumë se shqetësuese.

Drejtorët vendosën t’i mbyllin shkollat, por këshillat i kishin marrë nga diku. Unë shkova dhe bëra disa pyetje te Këshilli Bashkiak i Njuhemit, me shpresën se do të hidhja pak dritë mbi ngjarjen. Nuk më janë përgjigjur, ndaj po hamendësoj që drejtorët të paktën mund të kenë folur me dikë nga “ekipi mjedisor” i këshillit bashkiak, që me siguri nuk di gjë nga merimangat. Mund të kenë bërë kërkime në internet e të jenë trembur. Të jenë kaq naivë këta drejtorë, sa të mos kontaktonin një entomolog profesionist, dhe të vlerësonin rrezikun e këtyre specieve?

“Siguria dhe mirëqenia e nxënësve dhe e stafit është përparësia numër një”, shkruan njëra prej shkollave te letra që u ka dërguar prindërve. Edhe letrat e shkollave të tjera janë aq të ngjashme sa duken sikur i ka shkruar i njëjti njeri.

Helmet kundër insekteve kanë qenë më të rrezikshme për fëmijët se merimangat. Por çfarë lëndësh kimike u përdorën? E pyeta këshillin bashkiak, por prapë nuk m’u përgjigj. Një drejtor shkolle tha se ata do ta mbanin ndërtesën të mbyllur për të paktën një muaj.

Jetojmë në një epokë kur jemi më të shkëputur se kurrë nga gjallesat e tjera, prej të cilave, në fakt, varet gjithë mbijetesa jonë. Jetojmë në një kohë kur shkollat po sfidojnë heroikisht presionet financiare për t’i ofruar fëmijëve më shumë ekskursione në natyrë.

Ku është më mirë që të fillojmë të mësojmë për natyrën? Në fshat? Në pyll? Jo, këtu. Kudo që të ndodheni tani. Në qytete, periferi, fshatra… Prania e këtyre merimangave në Njuhem është një mundësi e mrekullueshme që fëmijët të mësojnë për mënyrën se si jetojnë merimangat, për rolin e tyre të rëndësishëm gjeologjik dhe se si jetët tona pasurohen nga flora dhe fauna e planetit tokë.

Por, për fat të keq, nuk janë fëmijët ata që duhen mësuar të respektojnë gjallesat e tjera e të bashkëjetojnë me to. Janë mësuesit dhe gjithë të rriturit që kanë krijuar këtë çmenduri injorance.

Patrick Barkham, The Guardian

Top Channel