Rusia gjendet sërish nën akuzë, këtë herë për sulme kibernetike që synojne dëmtimin e institucioneve të rëndësishme perëndimore.
Një raport për sigurinë kombëtare të Britanisë ka dalë në përfundimin se, shërbimi informativ ushtarak rus “GRU” qëndron pas “një agresioni shkatërrues kibernetik” e përdor një rrjet piratësh kompjuterikë për të përhapur mosmarrëveshje dhe konfuzion në të gjithë botën.
Në raport jepen dhe shembuj konkretë. Me shumë gjasë, – thuhet aty, – “GRU” është autore e goditjes me softuerin “BadRabbit” vitin e kaluar, ndaj një aeroporti ndërkombëtar të Ukrainës, si dhe ndërhyrjet kibernetike ndaj Agjencisë Botërore Antidoping në Zvicër.
Dokumenti i hartuar prej qeverisë britanike konstaton gjithashtu se, i njëjti shërbim qëndron pas piratimit të “e-mail”-eve të Komitetit Kombëtar të Partisë Demokrate në SHBA, që dëmtuan kandidaten për presidente të Amerikës, Hillary Clinton.
Ndërkohë, zyrtarë në Holandë njoftuan se shërbimet vendase të sigurisë kanë dëbuar në muajin prill 4 rusë, për shkak të një komploti që shënjestronte Organizatën e Parandalimit të Armëve Kimike “OPCW” në Hagë.
Operacioni kibernetik, edhe sipas tyre ishte vepër e pjesëtarëve të “GRU”-së ruse. “OPCW”-ja kishte qenë duke hetuar mbi sulmin kimik ndaj një ish-spiuni rus në Britaninë e Madhe.
Top Channel