Ministri i Jashtëm i Kolumbisë dha alarmin se numri i emigrantëve venezuelianë që po hyjnë në vend, po rritet në shifra të frikshme dhe mund të shkojë deri në 4 milionë, brenda vitit 2021, nëse situata në Venezuelë nuk përmirësohet.
Kriza e thellë ekonomike, mungesa e trajtimit shëndetësor dhe deri edhe mungesa e ushqimit, ka bërë që shumë venezuelianë të largohen nga vendi i tyre, drejt vendeve kufitare të Amerikës Latine.
Pothuajse një milion emigrantë venezuelianë tashmë jetojnë në Kolumbi, e cila ka një popullsi të përgjithshme prej rreth 50 milionësh. Prania e tyre i kushton Kolumbisë deri në rreth 0.5 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto, në investime për trajtim shëndetësor, ekonomik dhe infrastrukturor.
“Nëse llogarisim skenarin se situata në Venezuelë do të vijojë të përkeqësohet, në vitin 2021 pritet që në Kolumbi të jetojnë rreth 4 milionë shtetas venezuelianë”, tha ministri i jashtëm Carlos Holmes Trujillo në një forum të migrimit në Bogota.
“Ne jemi duke u përballur me përmasat e kësaj sfide, përmasat e të cilës janë të papara herë tjetër nga vendi ynë. Nëse skenari më i keq i mundshëm konfirmohet, atëherë do të kemi nevojë të bëjmë parashikime në buxhet, pasi do të na duhen rreth 9 miliardë dollarë, për të përballuar situatën”, tha Trujillo.
Deri tani raportohet se më tepër se dy milionë venezuelianë kanë lënë vendin e tyre për shkak të krizës, ndërsa vetë Venezuela u mundua të hedhë poshtë konstatimet e ministrit të Jashtëm të Kolumbisë.
Top Channel