Greqia njoftoi të hënën se drafti buxhetor për vitin e ardhshëm parashikohet të ketë një suficit më të madh primar, sesa ai që u pajtua me kreditorët e saj ndërkombëtarë, duke parashikuar se rritja ekonomike do të shkojë deri në 2.5 përqind.
Ky është buxheti i parë i Greqisë, jashtë tutelës së ndërkombëtarëve dhe synimi i qeverisë Tsipras është që të garantojë mbizotërimin e një suficiti primar për të pestin vit me radhë.
Ulja e mëtejshme e pensioneve është një nga masat më jopopullore, për të cilën kryeministri Tsipras ka rënë dakord me partnerët ndërkombëtarë se do ta aplikojë në vitin e ardhshëm.
Gjithsesi udhëheqësi grek do të synojë të bindë partnerët, që të shmangë këtë masë të ashpër, duke pasur në favor edhe suficitin më të madh primar tashmë.
Zëdhënësi i qeverisë Dimitris Tzanakopulos u tha gazetarëve të hënën se bisedimet me Komisionin e BE-së mbi mundësinë e “ngrirjes” së shkurtimeve të pensioneve, po përparonin nën një klimë pozitive.
Zgjidhja e kësaj çështjeje në mënyrë miqësore është vendimtare, pasi vendi monitorohet nga tregjet dhe çdo shenjë e rrëshqitjes fiskale, mund ta zhytë sërish në krizë.
Top Channel