Ndihmoi emigrantët, kryebashkiaku italian përfundon në arrest shtëpiak

02/10/2018 17:41

Kryebashkiaku i Riaces, një qytezë jugore e Italisë e njohur për politikat e saj miqësore ndaj emigrantëve, është vënë nën arrest shtëpie të martën, nën akuzën se ka ndihmuar emigracionin e paligjshëm.

Domenico Lucano u arrestua pas një hetimi të prokurorit publik të qytezës jugore Locri, i cili doli në përfundimin se ai ishte përfshirë në organizimin e martesave të rreme për të lejuar vajza emigrante të qëndrojnë në Itali.

Policia tha se kishte përgjuar një bisedë, në të cilën kryebashkiaku po bisedonte për rastin e një vajze nigeriane që duhej martuar me një italian, pasi leja e saj e qëndrimit ishte refuzuar.

Lucano akuzohet edhe për anashkalim të procedurave të qeverisjes lokale, në shërbimin e mbledhjes së mbeturinave të qytezës. Akuza mund të lidhet me programin e emigrantëve të tij, pasi dy kompanitë që kryejnë mbledhjen e mbeturinave janë kooperativa të krijuara për t’iu ofruar punë banorëve të Riaces dhe emigrantëve.

Administrata lokale është bërë e njohur për angazhimin e saj në pritjen dhe integrimin e emigrantëve në komunitet. Riace është bërë në fakt simbol i integrimit të emigrantëve. Vitet e fundit, kryebashkiaku kishte zbatuar një skemë inkurajimi të emigrantëve, për vendosjen e tyre në qytezë, nga ku shumë banorë janë larguar në kërkim të mundësive më të mira.

Emigrantët janë strehuar në shtëpitë e braktisura pa qira dhe fondet qeveritare të marra nga Bashkia janë përdorur në kooperativat që u japin emigrantëve punë dhe paga modeste. Për shkak të punës së tij me emigrantët, Lucano ishte shfaqur si një nga 50 udhëheqësit më të mëdhenj të botës, në klasifikimin e revistës “Fortune” në vitin 2016.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA