Për shefin e diplomacisë gjermane, Heiko Maas, edhe vet diskutimet e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë janë të gabuara.
“Ne besojmë se në këtë mënyrë mund të hapen shumë plagë të vjetra, e kjo na bën tejet skeptikë”, tha ministri i Jashtëm gjerman për gazetarët.
Maas i bëri këto komente në çeljen e takimit të krerëve të diplomacive të vendeve të BE-së me ata të vendeve kandidate për anëtarësim në Vjenë, e ku qëndrimin kundër të ashtuquajturit “korrigjim të kufijve” e përcollën edhe kryediplomatë e disa homologë të tjerë të tij.
Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn shfaqi drojën për “pasojat shumë negative”, ndërsa shefi i diplomacisë finlandeze, Timo Soini tha se kjo do të ishte mjaft e rrezikshme.
Kryediplomatja austriake, Karin Kneissl theksoi se “ndryshimet e kufijve kanë krijuar gjithnjë probleme të reja”.
Edhe Britania e Madhe ka tërhequr vërejtjen se shkëmbimi i territoreve do të ishte destabilizues. Ministrat e Jashtëm mbështetën ndërkohë vazhdimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian, të cilat pritet të vazhdojnë më 7 shtator.
Të premten, Gjermania tërhoqi vëmendjen se ripërvijimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë mund të nxisë tensionet etnike. Që të realizohet opsioni i mbështetur nga Thaçi, atij do t’i duhej shumica në Parlament, e kjo vështirë se mund të arrihet.
Reagimet që ka ngjallur ky propozim në politikën kosovare kanë qenë të shumta e vazhdojnë ende të forta. Kryeministri Ramush Haradinaj e ritheksoi në mënyrën më të ashpër deri tani qëndrimin e tij kundër.
“Diskutimi i vazhdueshëm publik mbi ridizenjimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve është një ftesë për tragjedi të reja në Ballkan”, shkroi ai në Twitter, ndërsa më vonë theksoi se nuk do të ulet në atë tryezë ku do të diskutohet territori i Kosovës.
Top Channel