Paraditen e kësaj të mërkure, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë dy gjyqtarë, Dritan Hallunajn e Krimeve të Rënda dhe Brunilda Kadin e Gjykatës së Tiranës, si dhe prokurorin e Krimeve të Rënda, Besnik Muçi.

Procesi dëgjimor ndaj Dritan Hallunajt u zhvillua një ditë më parë, aty ku ai ishte i pranishëm pa avokat mbrojtës. ILDKPKI-ja në raportin e saj thoshte se deklarimi i pasurive të gjyqtarit të Krimeve të Rënda është i saktë, i justifikuar dhe nuk ka fshehje pasurie.

Edhe për gjyqtaren Brunilda Kadi, seanca dëgjimore për të cilën u zhvillua të hënën, raporti i ILDKPKI-së rezultonte i pastër, pa fshehje pasurie apo deklarim të rremë.

Por, për gjyqtaren e Tiranës, KPK-ja vendosi edhe transferimin e çështjes civile me numër 9821, të datës 23 maj 2017, pranë organit kompetent, çështje që mund të përbëjë shkelje disiplinore.

Kjo është çështje e gjykuar nga gjyqtarja Kadi, për të cilën një shtetas spanjoll është ankuar pse i ka shkuar njoftimi në shqip dhe jo në spanjisht, në një kohë që ai ka qenë i pranishëm në gjykim dhe ishte në dijeni se kur ishte data e radhës e procesit.

I fundit që është konfirmuar në detyrë gjatë ditës së sotme ka qenë prokurori i Krimeve të Rënda, Besnik Muçi.

Gjatë seancës dëgjimore të së hënës, KPK-ja kishte nxjerrë në pah probleme që lidhen me aftësitë profesionale të këtij prokurori. Sipas KPK-së, ishte konstatuar se në vitin 2014, ky prokuror ka vendosur mosfillim të hetimit pasuror për shtetasin K.N., i cili është hetuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për trafik droge. Muçi ka pushuar në vitin 2016 edhe një procedim penal për gjobëvënie, të regjistruar sipas informacioneve të Policisë së Shtetit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA