Këshilli i Përgjithshëm i Avokatëve ka vendosur bojkotimin e gjyqeve në Gjykatën e Posaçme, në shenjë kundërshtimi ndaj rregullores që parashikon heqjen e telefonave celularë për avokatët gjatë hyrjes në gjykatë.
Sic raporton gazetarja Anila Hoxha, nga bojkoti do të përjashtohen vetëm seancat që lidhen me masat e sigurisë, ndërsa avokatët nuk do të marrin pjesë në gjyqet e themelit në Gjykatën e Posaçme.
Vendimi është marrë pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Avokatëve, ndërsa Dhoma Kombëtare e Avokatisë kërkon pezullimin e menjëhershëm të rregullores për celularët dhe rishikimin e saj.
Sipas qëndrimit të avokatëve, kufizimi i përdorimit të telefonave prek ushtrimin e profesionit dhe punën e tyre gjatë proceseve gjyqësore.
Në mbledhje është ngritur gjithashtu edhe rasti i avokatit Matlija, i cili është ankuar për heqjen e telefonit dhe për gjobën e vendosur në gjykatë.
Vendimi për bojkot u kërkohet të zbatohet edhe avokatëve të caktuar kryesisht. Edhe ata nuk duhet të marrin pjesë në gjyqet në Gjykatën e Posaçme, me përjashtim të seancave për masat e sigurisë.
Bojkoti do të vijojë deri në rishikimin e rregullores së kundërshtuar nga avokatët.
Top Channel