Kryeministri çek, Andrej Babis deklaroi se problemet e migrimit do të dominojnë zgjedhjet e Bashkimit Europian, në Maj të vitit të ardhshëm.
Ai theksoi se shqetësimi më i madh i zgjedhësve, janë pikërisht politikat e migrimit dhe pritet të dalin në pah një shumicë e heshtur e votuesve, që janë kundër emigracionit.
“Gjithsecili flet për zonën Euro dhe unë mendoj se kjo është qesharake. Tani është momenti të flasim për zonën Schengen. Më vjen çudi që në Komisionin Europian janë të gjithë të gatshëm të flasin për reformat dhe politikat në zonën Euro dhe shumë të paktë janë ata që mendojnë të diskutojnë për zonën Schengen, që mbulon pjesën më të madhe të bllokut”, deklaroi Babis.
BE ka kërkuar një politikë të përbashkët migrimi që nga viti 2015, kur më shumë se një milion refugjatë, kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Afrika, hynë në bllok, duke ngarkuar një barrë të rëndë ndaj vendeve si Greqia dhe Italia në skaj të Shengenit.
Republika Çeke dhe vendet e Evropës Qendrore, si Hungaria, Polonia dhe Sllovakia, kanë kundërshtuar gjatë sistemin e kuotave, të përcaktuar nga Brukseli për të ri-shpërndarë azilkërkuesit.
Babis përsëriti se vendi i tij nuk do të marrë asnjë emigrant, pasi çekët po ndihmonin me fuqi punëtore dhe para, duke përfshirë 80 milionë euro që nga viti 2015 për të mbështetur qendrat e emigrantëve jashtë BE.
Babis është një biznesmen multimiliarder, që fitoi me lehtësi zgjedhjet në tetorin e kaluar, teksa partia e tij e qendrës po zgjerohet gjithnjë e më shumë në kurriz të partive tradicionale.
Ky fenomen po dominon në të gjithë Europën, ku partitë antiestablishment po vijojnë të forcohen dhe rriten në kurriz të partive tradicionale, pasi shumica e popullsisë ndjehen të lodhur nga politikat shumëvjeçare të tyre.
Top Channel