Aventurieri i lartësive të mëdha, Andrzej Bargiel, është bërë personi i parë që ka zbritur me ski majën K2, malin e dytë më të lartë në botë.
Bargiel u nis në zbritje nga maja pakistaneze, 8611 metra e lartë dhe për shtatë orë arriti në bazë, ndërkohë që për t’u ngjitur i ishin dashur tre ditë e gjysmë.
“Ia dola të zbres nga maja e K2 deri në kampin bazë…është një zbritje shumë teknike, ndaj jam shumë i kënaqur që gjithçka shkoi mirë, pasi jam këtu për të dytën herë dhe jam i lumtur që nuk do të më duhet të kthehem më”, tha Bargiel.
Aventurieri 30-vjeçar nga Polonia, tentoi të zbriste me ski, K2-shin vitin e kaluar, por u detyrua të hiqte dorë nga përpjekja për shkak të temperaturave të larta dhe kushteve të këqia.
Por, me kushtet e favorshme të tanishme, Bargiel ia doli të zbriste deri në kampin bazë. K2 ndodhet në kufirin kinezo-pakistanez, në Vargmalin Karakoram, një zinxhir malor që përshkon Indinë, Pakistanin dhe Kinën dhe mban numrin më të madh të maleve të larta në botë.
Maja, është e famshme mes alpinistëve për vështirësinë e saj dhe është quajtur madje mali i egër. Krahasuar me më shumë se 4 mijë personat që kanë ngjitur Everestin, malin më të lartë në botë, 8848 metra të lartë, më pak se 350 persona ia kanë dalë mbanë të ngjiten në majën e K2-shit.
E ndërsa janë të paktë ata që ia kanë dalë të ngjiten në majë, janë të shumtë ata që janë shuar në përpjekje. Mali i ka marrë jetën 77 personave, duke e bërë atë të dytin më vdekjeprurës, pas Annapurnës në Nepal.
Top Channel