Banorët e Patoz-Marinzës në Fier janë në rrezik të vazhdueshëm për jetën. Në këtë zonë naftëmbajtëse prej 160 km katror, ku ka vetëm 417 familje, është hapur pothuajse një pus për çdo banorë.
Numërohen gjithsej 2279 banorë dhe janë hapur 2000 puse nafte. Për herë të parë publikohen të dhënat e një studimi të bërë nga instituti i shëndetit publik pas shpërthimit të një pusi në 1 prill të vitit 2015.
Pasi u bënë analizat laboratorike në gjak dhe urinë, tek banorët rezultoi se ata kanë nivele të larta fenoli në gjak, kur sipas normës eurpoaine, një person që punon në këtë industri duhet t’i ketë 80 miligram për gram, ndërsa të tjerët që nuk punojnë duhet ta kenë 0.
“Individi që nuk është pjesë e punës në këtë industri, niveli i fenolit duhet të jetë zero. Gjëja që mua më ka rënë në sy është nxënësja 13-vjeçare, e cila nga 0 që duhet ta ketë e ka 158 nivelin e fenolit”, thotë Elida Mataj, specialiste ISHP.
Sipas studimit të bërë, në këtë zonë çlirohet 115 ton gaz sulfurik në atmosferë, çka bën që të lindin fëmijë me keqformime kongenitale. Në 301 foshnje të lindura gjatë atij viti, 8 prej tyre kanë lindur me keqformime, probleme në zhvillimin psikomotor. Ndërkohë që janë konstatuar sëmundje të shtuara tek banorët deri tek ato kancerogjene.
“Janë 8 apo 9 fëmijë të lindur me problematika të këtij lloji”, thotë specialistja.
Instituti i Shëndetit Publik pritet të shtrijë investigimin edhe tek produktet që prodhohen në këtë zonë, të cilat konsumohen nga vetë banorët, por edhe tregtohen.
Top Channel