Në atë që mund të konsiderohet si ndeshje historike për ekipin e qytetit të Gjilanit, Drita nuk ia doli mbanë të gëzonte më shumë se 10 mijë tifozët e pranishëm në stadiumin “Adem Jashari” të Mitrovicës, aty ku suedezët e Malmos triumfuan në fundin e 90 minutave me rezultatin 3-0.
Edhe gjilanasit luanin në kuadër të turit të parë kualifikues të Champions League, por ndryshe nga tetovarët e Shkëndijës, janë dorëzuar përballë publikut të tyre, në një ndeshje emocionuese që nisi me një minutë heshtjeje në nder të legjendës së futbollit mbarëshqiptar dhe ish-kreut të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, që u nda nga jeta pak kohë më parë.
Në Mitrovicë, suedezët e Malmos shënuan që në minutën e 13, me anë të Strandberg, pas një gjuajtjeje me kokë, për të dyfishuar rezultatin në minutën e 39 falë Traustason. Pjesa e dytë nuk ndryshoi asgjë në lojën e kampionëve të Kosovës, që panë veten të pësonin edhe golin e tretë në minutën e 82-të, këtë herë nga kapiteni i miqve, Rosenberg.
Javën e ardhshme do të luhet ndeshja e kthimit, në Suedi, aty ku Malmo pritet ta ketë më të lehtë dhe thuajse të garantuar kualifikimin për në raundin e dytë kualifikues të Championsit.
Top Channel