Lionel Messi përgatitet për lamtumirën me kombëtaren argjentinase, 80 mijë të pranishëm biletat u shitën brenda 2 orëve
Kombëtarja e vajzave nisi grumbullimin në Shkodër, në kuadër të dy ndeshjeve ta playoffit të Botërorit ‘Brazil 2027’ me Uellsin, një fazë në të cilën skuadra jonë përfaqësuese e arrin për herë të parë në historinë e saj. Vajzat kuqezi do të luajnë ndeshjet e tyre në 9 tetor në ‘Loro Boriçi’ dhe në 13 tetor në transfertë.
Trajneri i Kombëtares së vajzave në një intervistë për kanalet zyrtare të FSHF vlerësoi punën dhe përkushtimin e futbollisteve si edhe për atmosferën në skuadër në prag të dy sfidave. Grima thekson se skuadra kuqezi ndodhet në një moment historik dhe se arritja në këtë fazë është rezultat i punës së bërë nga vajzat ndër vite.
‘Është e vërtetë që janë dy ndeshje shumë të rëndësishme për ne. Po luajmë për gjëra madhore që dikur ndoshta nuk ishin menduar që Shqipëria mund të arrinte në këtë nivel. Falë punës së vajzave, pasionit, dëshirës dhe këmbënguljes së tyre jemi në këtë pikë që jemi. Realisht jemi në objektiva që i kemi vendosur vetes, i kemi të realizueshme. Tani kjo është qershia mbi tortë. Duke parë ardhjen e vajzave, dëshirën, përkushtimin që kanë për ndeshjen, besoj që do të bëjmë gjëra të mira këto dy ndeshje. Kam shumë besim te vajzat, jam ndoshta pak i fiksuar te besimi që kam te këto vajza. Pavarësisht se mund të kemi probleme shëndetësore, dëmtime dhe mungesa. Kemi Arbenitën që për arsye dëmtimi nuk është në grumbullim. Kemi Klean që nuk luan në ndeshjen e parë për arsye të kartonave. Por besoj shumë gjithmonë te grupi, që do të nxjerrim ndeshje të mira, që të justifikojmë ardhjen deri në këtë pikë’ -tha Grima.
Uellsi nuk është një skuadër e panjohur për kombëtaren e vajzave pasi ato vetëm pak muaj më parë janë përballur me këtë skuadër me Grimën që thekson se skuadra duhet të luajë e qetë dhe pa presion.
‘Me një skuadër që e njeh dhe e di se çfarë potenciali ka. Ndoshta ndeshja e radhës mund të jetë pak më e lehtë. Unë mendoj që presioni nuk është te ekipi ynë. Ne po punojmë shumë që të mos kemi presion te skuadra jonë, të mos futemi me ngërçin e rezultatit pozitiv. Normalisht është e rëndësishme sepse këto ndeshje duhet, por presioni është te skuadra e Uellsit sepse ato janë mësuar që të jenë gjithmonë në kompeticione kryesore të FIFA-s dhe UEFA-s. Ne do të luajmë me nervat e kundërshtarit’-shtoi trajneri i kombëtares së vajzave.
Në fund, Grima ka edhe një mesazh për tifozët shkodranë dhe të gjithë mbështetësit e Kombëtares, duke i ftuar të jenë pranë vajzave në këtë moment historik.
‘Shkodra është gjithmonë një mbështetëse e madhe e jona. Ne sa herë kemi luajtur, kemi pasur gjithmonë mbështetje maksimale nga tifozët e Shkodrës. Por unë besoj që kemi një arsye më shumë. Kemi një arsye më shumë për këto vajza që kanë dhënë gjithçka për këtë futboll. Janë vajza që meritojnë mbështetje. Kanë dhënë gjithçka dhe kanë vënë pasionin dhe dëshirën e tyre për të thyer shumë tabu. Meritojnë shumë përkrahje dhe janë në një pikë që ne vetëm duhet t’i mbështesim për atë që ato kanë dhënë për futbollin dhe kurrë nuk kanë marrë apo kërkuar diçka shtesë. Detyra jonë, e të gjithëve ne është që t’i mbështesim, për të arritur këto rezultate historike që ne kemi nevojë. Besoj që do të jetë një mbështetje maksimalisht e mirë në Shkodër dhe besoj shumë që t’i kemi dhe t’i nderojmë e t’i nxjerrim faqebardhë nga stadiumi’-tha Armir Grima.
Top Channel