Kualifikimi i Suedisë në 1/8-at e finaleve të Kupës së Botës që po zhvillohet në Rusi, si e para e grupit F, ka bërë që qeveria e vendit skandinav të ndërpresë bojkotin ndaj këtij kompeticioni.
Sipas medies ruse, përfaqësues të kabinetit qeveritar suedez do të jenë të pranishëm në stadiumin e Shën Pjetërburgut më 3 korrik, kur Suedia do të përballet me Zvicrën.
Deri tani, asnjë nga përfaqësuesit e Suedisë nuk ka qenë në ndeshjet e Botërorit, ndërkohë që ministrja e Jashtme, Margot Wallstrom kishte deklaruar se bojkoti ishte vetëm për ceremoninë e hapjes së këtij turneu.
“E mbajtëm premtimin për të bojkotuar ceremoninë e hapjes së Botërorit, në shenjë solidariteti me Britaninë e Madhe për çështjen Skripal. Tani është e rëndësishme që të mbështesim skuadrën tonë përfaqësuese”, tha Wallstrom.
Ndërsa minstrja e Sporteve, Annika Strandhal, më parë kishte theksuar se nuk do të shkonte në Botërorin e Rusisë, sepse ishte e shqetësuar për situatën politike në atë vend, e sidomos për çështjen e respektimit të të drejtave të njeriut dhe demokracisë.
Top Channel