Hashim Thaçi deklaron se ka ardhur koha për një marrëveshje historike me Serbinë. “Kam detyrimin ta përfaqësoj vendin dhe t’i prij dialogut deri në fund”, u shpreh presidenti i Kosovës në konferencën për shtyp të mbajtur përpara takimit të së dielës me homologun serb, Aleksandar Vuçiç.
“Qëllimi ynë në këtë fazë përfundimtare është arritja e fazës finale me një marrëveshje të detyrueshme ligjore për të dyja palët. Jam i bindur se ka ardhur koha që pas bisedimeve, në një mënyrë apo tjetrën të nënshkruhet një marrëveshje historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përmes së cilës do të përfundonte raporti i dhimbshëm mbi 100-vjeçar”, tha Thaçi.
“Kosova, – shtoi Thaçi – nuk duhet t’i frikësohet as dialogut e as epilogut të tij”.
Ai përsëriti thirrjen për formimin e një ekipi gjithëpërfshirës, të përbërë nga presidenti, kryeministri e kryeparlamentari, ekspertë të çështjes, përfaqësues të partive opozitare etj., gjë që do ta bënte – sipas kreut të shtetit, – procesin më të besueshëm e transparent.
Në rast se arrihet marrëveshja ligjërisht detyruese, atëherë – nga sa pretendon Thaçi, – palët e përfshira do të përfitojnë perspektivën europiane.
Top Channel