Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka reaguar për përplasjen në Komisionin e Medias, teksa çështje dite ishte Teatri Kombëtar.
“Sot opozita mbrojti interesin publik dhe parlamentarizmin. Parlamenti duhet të përfaqësojë interesat e popullit dhe jo të mafias së ndërtimit, krimit dhe drogës. Por Edi Rama e ka të vështirë të bëjë dallimin midis batakut mes të cilit kalon gjithë kohën dhe parlamentit, prandaj edhe komentet e tij publike janë të gjitha me gjuhën e batakçiut”, shkruan Basha në profilin e tij në Facebook.
Sipas Bashës, ajo çfarë po ndodh me Teatrin Kombëtar, është një grabitje kriminale që Edi Rama ka më se një vit që e përgatit në bashkëpunim me klientët e tij.
“Në këtë aferë do të vidhet prona publike për të ndërtuar kulla të larta që do financohen me para të krimit dhe drogës. Ky që garantoi karrierën me 20 për qindshin për çdo leje ndërtimi dhe u ngrit në majë të politikës me formulën “një pallat, një votë”, tani sillet si një bandit që do të grabisë 100 për qind të Shqipërisë”, shkruan Basha.
Duke reaguar mbi statusin e Ramës për dhunë fizike në parlament nga ana e deputetëve të PD, Basha thekson se “Dhunuesi i Parlamentit, Kushtetutës dhe ligjit është Edi Rama. Dhunuesi i shqiptarëve është Edi Rama që pasi u vodhi votën, po vjedh edhe pasurinë publike për të shtuar pasurinë e vet private. Dhunuesi i Shqipërisë është Edi Rama që po na mbyll derën e Europës për të pestin vit me rradhë. Sot ai mund të ngrejë kulla dhe të pastrojë paratë e drogës në çdo cep të Tiranës, por e afërt është dita kur këto zulllume do ta zënë poshtë bashkë me Fikun e Tiranës!”.
Top Channel