53.1 ton mish importi u bllokua në portin e Durrësit nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.
Sasia e mishit transportohej në 4 konteinerë të mbërritur nga Brazili dhe kishte destinacion tregun e brendshëm shqiptar. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njoftoi se mishi brazilian i bllokuar në portin e Durrësit, ishte mostra e 178 e analizuar nga ky institucion që nga muaji Janar.
Pas mbërritjes në port, e gjithë ngarkesa është analizuar dhe një kampion i është dërguar ISUV ku janë bërë veprimet përkatëse. Rezultati i analizave ka nxjerrë se mishi i importuar nga Brazili ka qenë i infektuar me salmonelë, shumë i rrezikshëm për shëndetin e konsumatorit. Pas këtyre veprimeve, e gjithë ngarkesa do të kthehet në vendin e origjinës.
Top Channel mësoi nga burime jozyrtare në portin e Durrësit, se ngarkesa e mishit me salmonelë nga Brazili i përket një kompanie që kryen aktivitetin e saj me qendër në Tiranë, ndërsa Ministria e Bujqësisë nuk i konfirmon emrin. Sipas Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, që nga fillimi i vitit 2018, krahas ngarkesës së fundit të bllokuar në portin e Durrësit, janë bllokuar edhe 4 ngarkesa të tjera me gjithsej 78.1 ton mish importi.
Sasia totale e bllokuar e mishit që vjen nga jashte sipas AKU, në 5 muajt e fundit arrin në 130 ton mish derri, gjedhi dhe pule.
Top Channel