Ilaçet me rimbursim, me kusht. E sëmura nga zemra, përjashtohet se nuk është 75 vjeçe

23/05/2018 15:10

Ministria e Shëndetësisë zgjidhi problemin e medikamentit të zemrës për aktorin Luftar Paja, pasi e denoncoi ndërprerjen e tij nëpërmjet Top Channel, por me qindra pacientë të tjerë vuajnë nga disa sëmundje dhe që janë trajtuar me ksarelto prej dy vitesh u është thënë që nuk mund ta vazhdojnë më.

Rukije Darsi është 65 vjeç, pra moshën që e ka vendosur si kriter Fondi nuk e përmbush. Ndërkohë që vuan nga aritmi e theksuar. Ajo ka vetëm dy javë që ka operuar të dy këmbët dhe përveçse dhimbjes vuan më shumë kur mendon se i është bërë barrë të birit pasi ka një listë të gjatë me medikamente që duhet t’i blejë.

“Është shumë i shtrenjtë, nuk mund ta blej. Unë 20 milionë pagova për dy këmbët se i vumë protezë”, shprehet Festim Darsi.

Ndonëse medikamenti është në rimbursim kufizimet që ka vendosur Fondi i Sigurimeve ka përjashtuar me qindra pacientë të cilët prej dy vitesh e kanë përfituar.

Mjekët kardiologë kundërshtuan mënyrën e menjëhershme se si është bërë kufizimi i këtij medikamenti për të kaluar në antikogaulante të tjerë që janë më të lirë, askush nuk po merr masa për t’i ardhur në ndihmë këtyre pacientëve.

Mjekët e familjes janë vënë në vështirësi pasi janë ata që përballen me pacientët dhe nga ana tjetër janë në presion nga FSDKSH dhe penalizohen me gjoba në rastet kur u rekomandojnë ksarelton.

Jashtë mikrofonit ata thonë se kjo është një padrejtësi që u bëhet pacientëve, pasi nuk ka ndodhur asnjëherë tjetër që ata të cilët e kanë nisur trajtimin, në një moment të caktuar t’u ndërpritet madje pa respektuar protokollet mjekësore, por thjesht për çështje financiare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA