Rama: Kanabizimin nuk e sollëm ne, ‘skifterët’ e Katanias nuk kanë akuza për Tahirin

08/05/2018 23:44

Gjatë diskutimit në studion e Top Show, kryeministri Edi Rama foli edhe për akuzat për kanabizimin e vendit, duke i mohuar totalisht ato.

Kryeministri tha se ishte pikërisht lufta ndaj kanabisit, ajo që nxorri në pah këtë problem, ndërsa theksoi se kjo betejë është e fityuar nga qeveria.

“Kanabisi nuk erdhi me ne, por po të shohësh arkivat dhe dokumentet e Ministrisë së Brendshme, por edhe ato të policive ndërkombëtare, do të kuptoni se kultivimi i hashashit ka qenë i vazhdueshëm në Shqipëri. Ky problem doli në pah kur ne i shpallëm luftë kultivimit të kanabisit dhe marrja nën kontroll e Lazaratit, bëri që të dalë në pah problemi i kultivimit në të gjithë Shqipërinë. Ne i shpallëm luftë kultivimit të kanabisit dhe mund të them me bindje, se qeveria e ka fituar këtë luftë, pavarësisht të gjithë kostove, problemet dhe dështimet”, tha Rama.

Bashkë me kanabisin, ‘u shkul’ edhe Saimir Tahiri, ish ministri i Brendshëm, që ishte cilësuar si model suksesi nga Edi Rama, gjatë punës së tij 4-vjeçare.

Kryeministri i qëndroi besnik deklaratave të tij dhe tha se Tahiri ka bërë shumë punë të mira gjatë punës 4-vjeçare në Ministri, ndërsa theksoi se ende Prokuroria e katanias, pro edhe ajo e Krimeve të Rënda, nuk kanë provuar implikim kriminal të tij deri më sot.

“Unë vijoj të them sërish vlerësimin tim për ato punë të mira që ka bërë Saimir Tahiri, gjatë periudhës që ka qenë Ministër i Brendshëm, për thuajse 4 vite. Sa i përket hetimit të një grupi kriminal, ku në përgjime përmendje edhe emri i Tahirit, mund të them se deri tani, Prokurorët e Katanias, të cilët janë ‘skiftera’ për çështje të tilla dhe nuk do të falnin një ministër shqiptar, nuk kanë ngritur asnjë hetim për Saimir Tahirin. Madje as Prokuroria e Krimeve të Rënda në Shqipëri nuk ka asnjë provë të vetme për implikimin e Saimir Tahirit në trafikimin e kanabisit, ose të paktën nuk erdhi asnjë ditë ta paraqesë në Komisionin Parlamentar. Kësaj bindjeje i qëndrova deri në momentin që Tahiri vendosi të përballet si qytetar i lirë me drejtësinë, sepse tani e më pas, Prokuroria mund të bëjë ç’të dojë, pa pasur nevojë për parlamentin”, tha Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA