Anëtarët e Grupit të Deputetëve të Pavarur presin që Shpend Ahmeti t’i bashkohet partisë më të re në Kuvendin e Kosovës.
Në një intervistë për televizionin “T7”, shefi i grupit të tij parlamentar, Dardan Sejdiu tha se shpreson në këtë afrim.
Ahmeti, sipas tij, ka kontribuar në hartimin e deklaratës së parimeve të partisë së re, e nuk është çudi që edhe vet ai të vendoset në krye të kësaj force politike.
Të njëjtin mesazh përcjell edhe një tjetër deputete e grupit, Besa Baftiu. Baftiu pranoi se mbizotëron bindja se kryetari i Komunës së Prishtinës, me shumë gjasë do të udhëheqë Grupin e Deputetëve të Pavarur, të shkëputur nga Vetëvendosja.
Deputeti i “GDP”-së, Visar Ymeri bëri publike një ditë më parë një deklaratë, të cilën e quajti pikënisje për mënyrën e themelimit të subjektit të ri. Sipas Ymerit, ajo përmbledh parimet ideore, synimet dhe strategjinë publike për angazhimin politik, ndërsa për emrin e partisë që pritet të ketë drejtim social-demokrat nuk është vendosur ende.
Nga sa pohoi Ymeri, subjekti i ri do të angazhohet për një sistem politik e ekonomik, i cili as nuk diskriminon e as privilegjon.
Ndërkohë, deputetja e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci shprehet se e ka lexuar në linja të përgjithshme “Deklaratën e Parimeve” të të larguarve, e thotë se parimet e tyre janë të njëjta me ato të lëvizjes së themeluar nga Albin Kurti. Kjo bën që largimi i tyre ta habisë edhe më shumë. “Nuk e kuptoj përse nuk qëndruan me VV-në për realizimin e një programi që është i njëjti”, u shpreh ajo.
Top Channel