SHBA, “zhduket” pema e Macronit nga kopshti i Shtëpisë së Bardhë

29/04/2018 15:15

Në zonën e lëndinës jugore të parkut të Shtëpisë së Bardhë, në vend të pemës së mbjellë nga Donald Trump dhe Emmanuel Macron, sot shihet një njollë e verdhë bari. Por, ku ka përfunduar pema?

Shtëpia e Bardhë nuk ka bërë komente, por largimi i saj është fiksuar nga disa imazhe të agjencisë së lajmeve “Reuters”.

Pema u mboll më 23 prill nga presidenti amerikan dhe homologu i tij francez, Emmanuel Macron, gjatë vizitës zyrtare të këtij të fundit në Shtetet e Bashkuara. Bëhet fjalë për një fidan lisi, dhuratë personale e Macron, e ardhur nga vendi i betejës së pyllit “Belleau”, ku luftuan trupat amerikane në vitin 1928, gjatë Luftës së Parë Botërore.

Në gjestin simbolik, dy presidentët u shoqëruan edhe nga zonjat e para, Melania dhe Brigitte.

Macron kishte nënvizuar rëndësinë e gjestit me një postim në Twitter. “100 vite më parë, ushtarët amerikanë kanë luftuar në Francë, në Belleau, për mbrojtjen e lirisë sonë. Kjo pemë, dhurata ime për Donald Trumpin, do të jetë një kujtesë e përhershme në Shtëpinë e Bardhë për lidhjet që na bashkojnë”, shkruante ai.

FOTO GALERI
2/5

Top Channel