Gunther Krichbaum ka zgjedhur një kanal komunikimi të pazakontë për të bërë të ditur se qëndrimi i tij përsa i takon hapjes së negociatave me Shqipërinë është i ndryshëm nga ai i kancelares Angela Merkel.
Kreu i Komisionit për Çështjet Europiane është pyetur nga një shqiptar në postimin e bërë në Facebook, ku thotë se “hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë e sheh si vendim të parakohshëm”.
“Ama, Angela Merkel nuk mendon njësoj si ty? A jeni në të njëjtën parti apo jo?”, është pyetja e bërë nga komentuesi.
“Jo të gjithë në partinë tonë kanë të njëjtin mendim”, i përgjigjet deputeti gjerman.
Në postimin në fjalë, Gunther Krichbaum thotë se gjatë pritjes të Kryeministrit Edi Rama në Komisionin Europian të Bundestagut ja kishte thënë personalisht se e konsideronte hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë ishte e parakohshme.
Megjithatë, vetë Kryeministri Edi Rama e mohoi këtë me të zbritur në Tiranë.
“Ai nuk ma ka thënë këtë gjë, por nuk është një surprizë për mua. Ai kështu e mendon dhe mendimi i tij ka atë peshë që ka, por as që më gjen të papërgatitur dhe as përbën një arsye për mua që të më ulet kenaqësia e rezultateve të kësaj vizite”, deklaroi Rama në konferencën për shtyp të mbajtur në Rinas, fill pas uljes së avionit që e solli nga Berlini.
Top Channel