Pakti bërthamor, Irani kërcënon: Dalim nga traktati! Perëndimi s’ka të drejtë ta ndryshojë

25/04/2018 13:39

Presidenti iranian, Hassan Rouhani ka hedhur dyshime mbi legjitimitetin e përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve europianë të tyre për të ndryshuar paktin bërthamor me vendin e tij.

Udhëheqësit amerikanë e francezë njoftuan të martën se po punonin për një “marrëveshje të re” që do të zgjeronte dhe zgjatonte kushtet e akordit të vitit 2015. Por, Rouhani tha se ata nuk kanë asnjë “të drejtë” për të rinegociuar marrëveshjen e arritur mes 7 shteteve.

Ai cilësoi gjtihashtu presidentin amerikan, Donald Trump, si një “tregtar” të pakualifikuar për të komentuar mbi traktatet globale.

“Ju nuk keni asnjë formim mbi politikën, – tha ai. – Nuk keni formim as mbi ligjet, e kësisoj edhe formim mbi traktatet ndërkombëtare”.

Trump është shprehur më herët se Shtetet e Bashkuara do të rivendosnin sanksionet mbi Iranin, të cilat u pezulluan sipas marrëveshjes më 12 maj, derisa Kongresi dhe fuqitë europiane të rregullojnë “gabimet katastrofike”.

Zyrtarë amerikanë dhe europianë raportohet të kenë bërë progres mbi dy prej kërkesave të tij: Irani t’u japë inspektorëve ndërkombëtarë qasje të menjëhershme në të gjitha vendndodhjet që ata do të duan të inspektojnë, si dhe Irani duhet të ndalojë zhvillimin dhe testimin e raketave balistike.

Më problematike është kërkesa e tij për të hequr kufizimet kohore të marrëveshjes, apo të ashtuquajturat “klauzolat e muzgut”, mbi aktivitetet e ndjeshme bërthamore të Iranit dhe ta lënë atë të pakufizuar.

“Së bashku me udhëheqësin e një vendi europian, amerikanët thonë se duan të vendosin mbi një marrëveshje të nënshkruar nga 7 palë”, tha Rouhani gjatë një fjalimi televiziv nga qyteti i Tabrizit, këtë të mërkurë. “Por për çfarë dhe me ç’të drejtë?”, vijoi ai.

Rouhani theksoi se Irani ka treguar vullnetin ndaj botës kur nënshkroi akordin dhe se ka kërkuar prej atëherë të provojë se “Republika Islamike nuk ka për synim krijimin e armëve të shkatërrimit në masë”.

Të martën, ai paralajmëroi se do të ketë “pasoja të rënda”, nëse Shtetet e Bashkuara do të rikthenin sanksionet. Ai nuk dha detaje të mëtejshme, por zyrtarë iranianë janë shprehur se pasurimi i uraniumit mund të rikthehet edhe më i fuqishëm brenda ditësh, nëse do rikthehen sanksionet, dhe se vendi mund të tërhiqet nga Traktati i Mospërhapjes së Armëve Bërthamore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA