Të helmuar nga plehrat! Dy dekada që hidhen e digjen në fushë

24/04/2018 15:19

Një ndër prioritetet e Komisionit Europian është dhe reduktimi i sëmundjeve që lidhen me faktorët mjedisorë. Por ç’ ndodh në Durrës në qytetin e dytë që prodhon çdo vit 70 mijë tonë mbetje urbane?

Këto mbetje depozitohen çdo ditë në një fushë jashtë çdo standardi, dekompozohen dhe digjen në natyrë pranë qendrave të banuara dhe kampusit universitar. Shpesh në këto zona kullosin dhe bagëtitë e kafshët që përfundojnë në tryezat tona.

Krejtësisht i parrethuar dhe pasistemuar, vendgrumbullimi i Porto Romanos në Durrës, prej 2 dekadash është kthyer edhe në një front pune për të papunët e zonës, që u vënë zjarrin mbetjeve, përfshirë goma dhe plastikë, për të siguruar tela dhe skrap metalik.

Jo vetëm zona e banuar përreth, kampusi universitar, por edhe i gjithë qyteti është i ekspozuar dhe po helmohet nga gazrat toksikë që çlirohen nga dekompozimi dhe djegia, kryesisht pasditeve dhe në mbrëmje.

Studentë e pedagogë të universitetit “Aleksandër Moisiu”, gjithashtu kanë protestuar ndër vite ndaj këtij krimi ekologjik duke kërkuar ndërhyrjen e bashkisë për ndalimin e menjëhershëm të djegies dhe sistemimin e vendgrumbullimit.

Pavarësisht kësaj, asgjë nuk ka ndryshuar. Situata mbetet e njëjtë, ndonëse duhet të shërbejë si këmbanë alarmi për të gjithë, duke nisur nga Këshilli Bashkiak e deputetët.

Të zgjedhurit e qytetarëve duhet të kërkojnë zgjidhjen nga Bashkia e Qeveria të këtij problemi kaq të madh për qytetin, që në heshtje vret përmes ndotjes masive që shkakton.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA