Ankthi e tensioni janë tashmë armiqtë. Gigi Buffon duket të jetë munduar të largojë “shpirtin e keq”, sapo është futur në “dhomën e rrëfimit”. Sigurisht sipas metodës së tij.

Në fund të ndeshjes, kapiteni i Juventusit është ndalur në fushë (nuk është drejtuar në dhomat e zhveshjes si kolegët e tij) dhe i vetëm ka uruar një për një lojtarët e Napolit, fitimtarë nga dueli që rihapi kampionatin italian Serie A.

Më pas u fut në dhomat e zhveshjes për të shpërthyer fuqishëm pas humbjes “gërryese”, duke u fokusuar veçanërisht te “dremitja” e Benatiasë, që lejoi Koulibaly të shënonte e të shkurtonte distancën mes Napolit dhe titullit.

Në këtë mënyrë ka hapur edhe vallen e një konfrontimi të brendshëm!

Mes tensionit të lartë, debati i ngjante një grindjeje të përafërt pikërisht për atë aksion të minutave të fundit që përfshiu mbrojtësin maroken dhe kapitenin, si aktorët e parë të një post-ndeshjeje shqetësuese.

Juventusi tashmë ka një kalendar më të vështirë, kësisoj është përballë detyrimit për të mos gabuar më, përndryshe vështirë të arrihet drejt titullit të 7 radhazi në Serie A.

“Proceset, fajësimet dhe hipotezat nuk vlejnë – shkruante Allegri në ‘Twitter’. – Vlen vetëm të vijohet të punohet fort për të fituar çfarë ka mbetur”.

Pas çdo humbjeje “bombastike” të Juventusit lindin thashetheme, e këtë herë shpirtrat e ndezur janë kapur me Buffonin, si kapiten, detonatori dhe siguresa e kritikave me zë të lartë, që synojnë zgjimin dhe përgjegjshmërinë e skuadrës së tij.

Morali i ekipit sot është në situatën e tillë që, nga ajo humbje e në vazhdim, të gjithë janë vënë në diskutim. Pa harruar duatrokitjet e merituara deri më 21 prill, filozofia e Juventusit e tillë është dhe është pikërisht edhe për atë që Allegri, një nga trajnerët më të mirë të Europës, mbrëmjen e asaj drame në “Allianz Stadium” ishte shprehur: Ndodh!

Siç ndodh për shembull që të kenë nisur thashethemet për pasardhësit e mundshëm të tillë, nga Simeone, te Ancelotti (duket se do të marrë Italinë), apo të tjerë, por për të arritur deri këtu duhet të kemi një “lamtumirë”, teksa duket se nuk është momenti për të komunikuar vendime, pasi gjithçka është në garë.

“Kam fjetur shumë pak, pasi më nisej treni në orën 5 – tha Max Allegri për takimin mes drejtuesve, trajnerëve, arbitrave dhe lojtarëve të zhvilluar në Romë. – Tashmë duhet të rikuperojmë energjitë, tensionimi i situatës nuk na nevojitet, duhet të tregohemi të zotë e të ruajmë qetësinë, sepse kemi ende një pikë avantazh. Sigurisht që duhet të bëjmë të jashtëzakonshmen tani. Ishte vetëm një episod në minutën e 90, që mund ta kishim menaxhuar më mirë, por në futboll asgjë nuk mund të merret si e falur, ndaj elementi psikologjik është tejet i rëndësishëm”.

Gjithsesi, nga 4 objektiva sezonale, vetëm dy kanë mbetur në lojë. Superkupa e Italisë u sfumua gushtin e kaluar, ndërsa Championsi në atë natë “ferri” të Bernabeut. Tani mbeten për t’u arritur titulli, shumë pranë, dhe finalja e Kupës së Italisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA