E kryer/ Arrihet marrëveshja, Interi transferon nga Tottenhami mbrojtësin që shkëlqeu në Botëror

12/08/2026 16:28

Interi është shumë pranë zyrtarizimit të një tjetër përforcimi në mbrojtje. Sipas disa burimeve në Itali, klubi zikaltër ka arritur marrëveshjen me Tottenham për transferimin e Djed Spence.

Mbrojtësi anglez pritet t’i kushtojë Interit 31.5 milionë euro, ndërsa në marrëveshje do të përfshihen edhe bonuse të lidhura me paraqitjet dhe objektivat. Spence pritet të firmosë një kontratë që do ta mbajë në Milano deri në qershor të vitit 2031.

Oferta fillestare prej 30 milionë eurosh ishte refuzuar nga Tottenham, pasi klubi londinez kërkonte rreth 35 milionë euro, plus bonuse. Megjithatë, palët kanë avancuar në negociata dhe tashmë kanë gjetur akordin përfundimtar.

Sipas Fabrizio Romanos, Sky Sport Italia dhe Sportitalia, marrëveshja është 31.5 milionë euro plus bonuse, ndërsa Sport Mediaset raporton një formulë prej rreth 30 milionë eurosh plus 2 milionë euro bonuse.

Interi kishte arritur më herët marrëveshjen personale me Spence dhe tashmë klubet po përcaktojnë detajet e fundit të bonuseve, përpara se futbollisti të udhëtojë drejt Italisë për vizitat mjekësore.

Spence vjen pas një Kupa Bote 2026 shumë të mirë me Anglinë, ku u dallua për fleksibilitetin e tij dhe aftësinë për të luajtur si në krahun e djathtë, ashtu edhe në të majtin.

26-vjeçari shihet nga Interi si pasuesi i Denzel Dumfries, i cili u transferua te Real Madridi gjatë kësaj vere. Megjithatë, anglezi mund të përdoret edhe në krahun e majtë, duke i dhënë trajnerit më shumë alternativa për të zëvendësuar Federico Dimarcon.

Spence do të rikthehet kështu në Serie A, pasi më parë ka qenë pjesë e Genoas në Itali. Në Milano ai pritet të ribashkohet edhe me mbrojtësin anglez John Stones, i cili iu bashkua Interit si lojtar i lirë pas largimit nga Manchester City.

Zyrtarizimi i transferimit pritet pasi të përfundojnë detajet e fundit të marrëveshjes dhe testet mjekësore të futbollistit.

Top Channel