Mbrojtësi i Juventusit Giorgio Chiellini nuk do të mund të japë kontributin e tij këtë fundjavë në kampionatin italian të futbollit në një ndeshje vendimtare për titullin, si ajo ndaj Inter.
Futbollisti i kombëtares së të kaltërve vuajti një dëmtim në përballjen e humbur ndaj Napolit, e kështu kthehet në një problem të madh për prapavijën e skuadrës torineze.
“Nga analiza mjekësore u zbulua dëmtimi i ligamenteve në gjurin e majtë dhe futbollisti do të duhet të bëjë kontrolle shtesë, ndërsa ka nisur edhe terapinë për rikuperimin”, thuhet në njoftimin zyrtar të kampionëve të Italisë. Stafi teknik zbuloi se Giorgio Chiellini nuk do të jetë të shtunën në San Siro ndaj Inter, në atë që konsiderohet pengesa më e vështirë për të ruajtur titullin.
Koha e rikuperimit ende nuk është bërë e ditur, por mbetet për tu kuptuar nëse Chiellini e ka mbyllur sezonin me kaq, apo nëse do të mund të jetë në fushë qoftë edhe pjesërisht në ndeshjen Roma-Juventus që është programuar në 13 Maj.
Top Channel