Ekipi i futbollit “Partizani” i është bashkuar sot nismës së bashkisë për mbjelljen e 100 pemëve të reja në pjesën jugore të Liqenit të Tiranës.
Kryebashkiaku Veliaj tha se me këtë ritëm, deri të dielën e 22 prillit, që përkon me ditën e Tokës, do të tejkalohet qëllimi për të mbjellë 122 mijë pemë të reja në Tiranë.
“Jam shumë i lumtur që edhe në këto ditë të fundit, përpara se të kapim 22 Prillin, do ta tejkalojmë numrin e 122 mijë pemëve të mbjella. Deri para një viti kjo ka qenë një tokë e zënë. Më kujtohet gjullurdia që u krijua asokohe, por toka jo vetëm u lirua, jo vetëm që sot komuniteti rom jeton më mirë, punë për të cilën morëm edhe një çmim, por e gjithë Tirana jeton më mirë. Pra, treguam se si 1% nuk mund të pengojë zhvillimin e 99% të tjerëve, ama ka një mënyrë se si edhe 1% dhe 99% mund të jetojnë më mirë, falë nismave të bashkisë”, u shpreh Veliaj.
Veliaj falënderoi të gjithë ata që u bënë pjesë e revolucionit të gjelbër, duke dhuruar pemë për kryeqytetin, për të kontribuar për një mjedis më të pastër.
Top Channel