Nëna e dy fëmijëve ndërroi jetë gushtin e vitit të shkuar, pas dy vitesh vuajtjeje në spital si pasojë e djegieve të shkaktuara në 90 për qind të trupit të saj nga i dashuri, që pasi e leu me benzinë i vuri flakën.
Por, 9 muaj më vonë, 33-vjeçarja Judi Malinowski do të dëshmojë në procesin gjyqësor për vrasjen e saj.
Gjyqtari Guy Reece vendosi një precedent në këtë rast kur pranoi që juria të dëgjojë dëshminë që e ëma e 33-vjeçares i kishte marrë vajzës së saj nga shtrati i spitalit për dy vite me radhë.
“Judy luftoi dhe u bë e fortë për të treguar historinë e saj dhe vendimi për ta dëgjuar këtë histori është hapi i parë për vendosjen e drejtësisë. Vuajti shumë, por sërish gjeti forcën dhe kurajon që të sfidonte dhimbjet dhe të artikulonte qartë autorin e tmerrit të asaj nate. Jam shumë krenare për të dhe e di që një ditë do ta shoh, megjithëse ma theu zemrën në këtë jetë”, deklaroi e ëma e Judy-t, Bonnie Bowes.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në qershor të vitit 2015 në një pikë karburanti në periferi të Ohajos. Autoritetet akuzojnë Michael Slager, në atë kohë i dashuri i Judy-t, se pasi ka e spërkatur me benzinë i ka vënë flakën.
Vetë Michael pranoi para jurisë se e ka spërkatur me benzinë, por thotë se flakët ishin aksidentale dhe u shkaktuan në momentin që ai u përpoq t’i ndizte Judy-t një cigare.
Edhe avokati i të pandehurit kundërshtoi vendimin e gjykatësit për të pranuar dëshminë. Sipas tij, rrëfimi nuk është marrë në rrugë ligjore. Gjyqtari Reece e hodhi poshtë këtë pretendim duke deklaruar se bëhej fjalë për një rast të pashembullt që kërkonte një vendim të pashembullt.
Top Channel