Sulmi kimik në Siri, Trump: Asad është një kafshë, do ta paguajnë shtrenjtë

08/04/2018 16:50

Presidenti amerikan Donald Trump sulmoi ashpër presidentin sirian Bashar al Asad dhe aleatët e tij rusë e iranianë për sulmin e dyshuar me armë kimike, duke thënë se përgjegjësit do të paguajnë një çmim të shtrenjtë.

Dhjetëra njerëz raportohet se u vranë me armë kimike në qytetin rebel të Doumas të shtunën. Mbretëria e Bashkuar kërkoi një hetim urgjent, ndërsa Papa Françesku tha se asgjë nuk mund të justifikojë përdorimin e armëve kimike. Si zakonisht, Rusia dhe Siria mohojnë të ketë pasur sulm me armë kimike, por pjesa tjetër e botës duket e bindur për të kundërtën, aq sa Trump e quajti presidentin Asad kafshë.

Në një seri mesazhesh në Tëitter, Trump akuzoi drejtpërdrejtë presidentin rus Vladimir Putin, Rusinë dhe Iranin për mbështetjen që i japin Asadit, ndërsa kërcënoi se çmimi do të jetë i shtrenjtë për këtë sulm. Në mesazhet e tij Trump ironizoi edhe ish presidentin amerikan Barack Obama, duke thënë se nëse ai do të respektonte kërcënimin e vijës së kuqe për Sirinë, tashmë Asad do të ishte histori.

Qyteti i Doumës është fortesa e fundit rebele brenda Gutës Lindore në afërsi të Damaskut dhe sulmi i dyshuar me armë kimike tregon që regjimi është i gatshëm për gjithçka për të rimarrë kontrollin e zonës.

Aktivistët në terren flasin për rreth 70 viktima e shumë të plagosur. Sipas mjekëve sirianë, viktimave sulmit kanë shfaqur konvulsione dhe shkumë në gojë, shenja të qarta të përdorimit të armëve kimike. Departamenti amerikan i shtetit tha se nëse konfirmohet përdorimi i këtyre armëve, komuniteti ndërkombëtar duhet të reagojë menjëherë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA