Me mijëra besimtarë të krishterë u mblodhën në Jeruzalem për ceremoninë e përvitshme të zjarrit të shenjtë, të zhvilluar në vigjiljen e pashkëve ortodokse.
Me qirinj në duar, disa prej tyre mbushën kishën e ‘Varrit të Shenjtë’, të ndërtuar mbi vendin ku sipas traditës kristiane, krishti u vendos të prehej dhe u ringjall. Rituali, që përbën praktikisht eventin më të shenjtë për të krishterët ortodoksë, daton përpara 1200 vjetësh.
Burimi i flakës mbahet sekret dhe mbrohet me fanatizëm të madh. Besohet se një rreze nis të shkëlqejë përmes dritares në tavanin e kishës dhe ndez llampën e vendosur mbi varr.
Njerëzit që nuk hyjnë dot brenda, presin jashtë për të marrë flakën e për t’ia kaluar njëri-tjetrit, gjest ky që simbolizon mbërritjen e një mesazhi nga parajsa për përjetësi, paqe dhe rilindje. Flaka dërgohet pas kësaj me shpejtësi në Betlehem, ku presin me qindra pelegrinë, e shpërndahet me avion në pjesë të tjera të botës.
Delegacioni i kishës ortodokse bullgare ia kaloi këtë radhë zjarrin e shenjtë një grupi përfaqësuesish të kishës ortodokse të Maqedonisë, e cila deri tani e merrte flakën nga një manastir grek. Gjesti i sivjetshëm kërkon të tregojë se ajo dëshiron të pranojë rolin e kishës mëmë.
Kisha ortodokse e Maqedonisë, që u shpall e pavarur nga ajo serbe në 1967-ën, nuk njihet nga kishat kryesore ortodokse të lindjes dhe as patriarkana ekumenike e Stambollit.
Presidenti rus Vladimir Putin i uroi festën shtetasve të tij dhe të gjithë besimtarëve të krishterë ortodoksë, duke u kujtuar se pashka, që simbolizon triumfin e jetës, të mirës dhe dashurisë, ka një domethënie të jashtëzakonshme morale. Në Rusi, e shtuna e shenjtë i sheh besimtarët ortodoksë të çojnë nëpër kisha ëmbëlsirat e pjekura vetë ose edhe të blera dhe vezët e ngjyrosura me qëllimin që të bekohen e të spërkaten me ujë të shenjtë.
Top Channel