Kastriot Tusha i ka lënë pas 35 vite karrierë. Në romancë, në kanconetë italiane apo shqiptare, ashtu edhe në këngët popullore, qytetare apo serenatën korçare, zëri i tij i pastër ka lënë gjurmë.
Por, këtë jubile ai sërish e feston me një koncert të tillë “Nostalgji”, që do të mbahet më 14 prill në sallën koncertore të Katedrales Ortodokse.
“Vet slogani i koncertit që e titulluam ‘Nostalgji’ përmbledh të gjithë aktivitetin e kaq viteve eksperiencë. Shpresojmë që të përmbledhim një emocion të bukur dhe ta shpërndajmë midis miqve. Në koncert ka shumë artistë të zhanreve të ndryshme. Mund të përmend Manjola Nallbanin, Vikena Kamenicën, Suzana Frashërin, Ramona Tullumanin, Ardita Menin, sopranon Ulpjana Aliaj. Kam një të ftuar nga trojet shqiptare, të madhen Shkurte Fezaj. Është këngëtarja e Strugës, Elita Reci. Nuk dua të le pa përmendur të madhen Irma Libohova”, thotë tenori Kastriot Tusha.
“Nostalgji” do të shoqërohet nga Orkestra Filarmonike e Elbasanit, nën dirigjimin e Alqi Lepurit. Edhe vet gjeografia në interpretim është gjithëpërfshirëse, një zgjedhje kjo aspak rastësore nga tenori.
“Me Vikenën do të kem një material francez të bukur. Me Irmën, një material tjetër të bukur shqiptar, një këngë të vjetër qytetare shkodrane. Gjithashtu me Manjolën një këngë arbëreshe. Me Suzana Frashërin do të kem një kanconetë napolitane të vjetër ‘Non ti scordare di me’”, zbulon ndër të tjera tenori i famshëm Kastriot Tusha.
Drejtori artistik, Zeqir Sulkuqi paralajmëron një natë të këndshme me organizim plot shije.
“Përveç të ftuarve, një surprizë është edhe përfaqësimi i një formacioni fryme, që udhëhiqet nga profesor Isak Shehu, i cili ka ndihmuar formacionin tonë, ashtu si kompozitori Klement Barku, në përshtatjen dhe rregullimin e pjesëve”, tha Zeqir Sulkuqi, violinist dhe drejtor artistik.
Ky koncert jubilar “Nostsalgji”, nën moderimin e Ema Andreas, rezervon plot surpriza për të gjithë ata që duan repertorin e tenorit Tusha.
Top Channel