“Osman Sula nga fshati Jagodinë i Elbasanit së bashku me familjen e tij prej 13 personash ka investuar në ndërtimin e rreth 1 hektar sera me të cilën kjo familje ushqehet dhe jeton.
Por asnjëherë ky fermer nuk ka përfituar subvencione nga shteti dhe sipas tij kriteret sa vijnë e vështirësohen duke nxjerrë kleçka nga më të voglat vetëm për të eliminuar fermerët”, raporton gazetarja e Top Channel, Bruna Kyçuku.
“Kam arritur të bëjë me forcat e mia me lekë banke, kam arritur të bëjë 1 hektarë serra. Janë pesë familje që janë në shtëpi dhe bashkë me nusen e çunat i bëjmë shërbimin këtyre serave”, thotë Osmani.
Fshati Jagodinë i Elbasanit ka rreth 60 ha sera ndërsa prodhimet e tyre konkurrojnë në treg me cilësinë. Pothuajse i gjithë prodhimi shkon për eksport.
“Zona jonë këtu e Elbasanit, nxjerr një prodhim cilësor që konkurrojmë, dhe arrijmë ti bëjmë me plehra organikë. Hormonet nuk i përdor, përdor bletën për të lidhur kokrrën, se hormonet janë të dëmshme, dhe kemi dalë me sukses të madh”, thotë Sula.
Duke mos u mbështetur asnjëherë në ndihmën e shtetit këta fermerë kanë siguruar çdo gjë vetë që tek investimi e deri tek tregu, ndërsa të nevojshme, veç subvencioneve kanë edhe rrugën e fshatit në mënyrë që mjetet që vijnë të marrin prodhimet të mos pengohen nga rruga.
Top Channel