Policia e Kosovës vuri në pranga 5 shtetas turq, punonjës të “Institucionit Arsimor Gülistan”, pronë e klerikut turk Fethullah Gulen, të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e fajëson për tentativën e dështuar të grushtit të shtetit dy vite më parë.
Në mesin e të arrestuarve janë dy drejtorë të Kolegjeve “Mehmet Akif” në Prishtinë dhe Gjakovë, një zëvendësdrejtor dhe dy arsimtarë. Të gjithë ata rrezikojnë deportimin në Turqi.
Autoritetet e sigurisë nuk kanë dhënë hollësi mbi arsyet e arrestimeve, por kryeministri Ramush Haradinaj tha për “Radion Europa e Lirë” se, motivi i kësaj lëvizjeje ka qenë mosrespektimi i procedurave të qëndrimit në Kosovë.
Përmes një deklarate për shtyp, Ministria e Brendshme bëri të ditur se, në bazë të mandatit të saj për zbatimin e ligjit për të huajt ua ka revokuar lejet e qëndrimit shtetasve të ndaluar sot.
“Kjo është një procedurë ligjore, e cila është aplikuar edhe në rastet e mëhershme, si për të huajt me leje qëndrimi, ashtu edhe për të huajt që kanë fituar shtetësinë e Kosovës. Atyre iu është revokuar për arsye sigurie, apo procedurave të tjera të parashikuara në ligjin përkatës”, shpjegohet në deklaratë.
Disa medie kosovare thonë se kanë siguruar lejeqëndrimet e personave të ndaluar, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Cihen Ozkan dhe Hasan H. Gunakan. Dokumentet tregojnë se ata kishin ende afat qëndrimi, e madje një pjese, ai iu mbaronte në vitin 2023.
Vetëm leja e drejtorit të Përgjithshëm Mustafa Erdem ka qenë pranë skadimit, më 6 prill, por mendohet se edhe ai i kishte kryer procedurat për zgjatjen e saj. Pas ndërhyrjes së Ministrisë së Brendshme, sidoqoftë, qëndrimi i mëtejshëm i këtyre qytetarëve konsiderohet i jashtëligjshëm.
Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, nga ana tjetër, u shprehën më herët se shkollat e shënjestruara veprojnë në përputhje me ligjet e Kosovës.
Top Channel