27 marsi është Dita Botërore e Teatrit, një ditë që fatin e teatrit tonë Kombëtar e gjen ende pa një zgjidhje për të ardhmen e tij. Artistët vijojnë që prej 1 muaji e gjysmë të protestojnë për shembjen e godinës historike, dukë i shpeshtuar takimet mes tyre, tashmë për çdo të hënë pasdite.

“Çështja e teatrit nuk është çështje vetëm e artistëve, më së pari është e qytetarëve. Ne po punojmë në disa fronte: Po kërkojmë të bëhet plotësisht transparencë. Bëhet fjalë për Bashkinë e Tiranës, Ministrinë e Kulturës dhe Këshillin e Ministrave. Jemi të mobilizuar në sensibilizimin e opinionit publik që kjo çështje të gjejë konsensus, gjithmonë më e gjerë dhe së treti pse ky teatër duhet ruajtur dhe cilat janë vlerat e tij?”, thotë regjisori Kastriot Çipi.

Artistët thonë së teatri duhet ruajtur, bazuar mbi opinionet e ekspertëve të fushës si Shoqata e Arkitekteve dhe Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, të cilët thonë se kushton më pak nëse restaurohet teatri ekzistues, aq më tepër kur institucionet kompetente nuk janë shprehur për gjendjen e kësaj godine.

“Ministrja e Kulturës prej 5 vjetësh refuzon të bëjë investime në Teatrin Kombëtar me argumentin se kjo ndërtesë është e rrezikshme, nuk mund të riparohet dhe duhet të shembet, ndërkohë nuk ka marrë mundimin t’i bëjë një copë letër Institutit të Ndertimit siç e ka detyrim ligjor”, vijon Çipi.
Ndërkaq sindikata e artistëve të pavarur të skenës dhe ekranit ka vijuar këtë të martë me zgjedhjet për kryesinë e re, duke theksuar edhe njëherë vendosmërinë ndaj kësaj nisme.

“Nëse plotësohen këto dy kushte: përmirësimi i kushteve të motit dhe nëse vazhdon indiferenca e institucioneve ndaj kësaj lëvizjeje, natyrisht që takimet do të shpeshtohen, dhe pse jo do të ndërmarrim edhe hapa ligjore për të penguar këtë nismë të qeverisë”, tha Çipi.

Top Channel