Meta vizitë në Maltë, kërkon mbështetje për hapjen e negociatave

26/03/2018 17:17

Me ftesë të homologes së tij Marie-Louise Coleiro Preca, Presidenti Meta po zhvillon një vizitë dy ditore në Maltë.

Vizita e Presidentit Meta përkon me shënjimin e 45-Vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Maltës.

Presidenti Meta i kërkoi homologes së tij mbështetjen ndaj një rekomandimi pozitiv të pritshëm të Komisionit Evropian për hapjen e negociatave të anëtarësimit, ndërsa vlerësoi mbështetjen e pakursyer që Malta i ka dhënë Shqipërisë në procesin e saj të integrimit evropian.

Të dy presidentët konfirmuan angazhimin e ndërsjellë për të nxitur Qeveritë, institucionet e të dy vendeve dhe komunitetet respektive të biznesit, që të hulumtojnë dhe shfrytëzojnë të gjitha mundësitë dhe hapësirat e investimeve në sektorë strategjikë, si turizmi, energjetika, infrastruktura, sektori financiar dhe teknologjisë së informacionit.

Në njoftimin e Presidencës thuhet se Meta veçoi Teknologjinë e Informacionit, një fushë ku Malta ka arritur të tërheqë prezencën e kompanive globale si Microsoft, si një tjetër mundësi bashkëpunimi konkret.

Duke u ndalur në zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, Presidenti Meta përcolli mirënjohjen për mbështetjen e Maltës ndaj shtetit të Kosovës, dhe nënvizoi rëndësinë që ka liberalizimi i shpejtë vizave për qytetarët saj, të vetmit në Ballkan që nuk përfitojnë ende nga regjimi i liberalizuar i vizave drejt hapësirës Shengen.

Fjala e plotë e Presidentit Meta

Duhet të them se ndihem tepër i lumtur që jam këtu sot, duke vizituar vendin tuaj të vogël, por tepër të bukur, me të vërtetë. E kuptoj tashmë shumë mirë se nga rrjedh krenaria dhe besimi juaj.

Presidente Preca (Preka), ju folët dhe i mbuluat tashmë temat më të rëndësishme të diskutuara gjatë takimit tonë. Dëshiroj vetëm të theksoj disa pika prej syresh:

Në këtë 45-vjetor të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Maltës, mund të pohojmë se kemi krijuar shtylla të konsoliduara mirëkuptimi dhe bashkëpunimi të ndërsjellë. Ne ndajmë të njëjtin vizion politik për një të ardhme të përbashkët evropiane, i cili ushqehet nga një simpati e vërtetë midis popujve tanë.

Kemi hartuar dhe miratuar sakaq një infrastrukturë ligjore të shëndoshë, e cila lehtëson dhe stimulon një bashkëpunim edhe më intensiv në fusha strategjike, si turizmi, energjia, marrëdhëniet detare e bankare, teknologjia e informacionit dhe komunikimit, etj.

Një nga pasuritë më të mëdha të Shqipërisë është popullsia e saj e re në moshë, dhe për më tepër, e kualifikuar, gjë që e shndërron atë në një treg mjaft tërheqës përsa i përket industrisë së teknologjisë informatike. Në këtë kontekst, i propozova Presidentes Preka dy gjëra:

Së pari, përvojën e shkëlqyer me Akademinë Diplomatike të Maltës, mund ta përsërisim edhe me “Qendrën Novatore të Mikrosoftit” për të përgatitur studentët dhe nëpunësit tanë civilë.

Së dyti, investitorët maltezë në këtë fushë mund ta shikojnë e ta marrin parasysh tregun shqiptar si një mundësi për të përmbushur edhe kërkesën në rritje të Ballkanit Perëndimor për teknologji të informacionit dhe komunikimit.

Promovimi i trashëgimisë kulturore dhe vlerave të tolerancës fetare është një tjetër fushë ku Shqipëria dhe Malta mund të bashkëpunojnë ngushtësisht, pasi të dyja vendet zotërojnë një trashëgimi të pasur kulturore, historike dhe arkitektonike, që gjithashtu janë pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Për më tepër, duke njohur dhe vlerësuar rolin dhe kontributin e shquar të Presidentes Preka si një përkrahëse e palëkundur dhe nxitëse e fuqizimit të gruas.

Padyshim, një çështje kyçe në axhendën tonë dypalëshe ishte edhe procesi i integrimit evropian të Shqipërisë. E informova Presidenten lidhur me përparimin e bërë deri më tani, por njëkohësisht e falënderova edhe për mbështetjen e qëndrueshme që Malta i ka ofruar vendit tim përgjatë këtyre viteve. Do të kthem në vendin tim duke marrë me vete synimin dhe qëndrimin e vendit tuaj në favor të hapjes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë, menjëherë sapo Komisioni Evropian të japë propozimin e pakushtëzuar për çeljen e tyre.

E informova Presidenten mbi zhvillimet në Ballkanin Perëndimor si dhe për rolin që luan Shqipëria si një partnere konstruktive në marrëdhëniet dypalëshe dhe shumëpalëshe. Ramë plotësisht dakord se rajoni duhet të përparojë me vendosmëri drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian. Bashkimi Evropian mbetet forca shtytëse për kryerjen e reformave themelore, por edhe për të ruajtur paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon.

Në këtë drejtim, theksova rëndësinë e miratimit të liberalizimit të vizave për Kosovën sa më shpejt që të jetë e mundur. Ne kemi çmuar mbështetjen e Maltës në rrugëtimin e Kosovës përsa i përket ndërtimit të shtetit, dhe kemi pranuar se është me rëndësi jetike, të vazhdohet në të njëjtën mënyrë mbështetja për të ardhmen evropiane të Kosovës.

Duke qenë dy vende të Mesdheut, diskutuam gjithashtu për sfidat e sigurisë në këtë rajon si dhe më gjerë, duke qenë në një mendje se nevojitet një bashkëpunim më i ngushtë dhe operacional në këtë drejtim.

Më lejoni t’ju falënderoj edhe njëherë Zonja Presidente për diskutimet shumë miqësore e të sinqerta që zhvilluam sot!

Do të largohem nga Malta me përshtypjet më të mira, si dhe me bindjen që marrëdhëniet tona do të thellohen e do të zgjerohen edhe më tej në shumë fusha me interes të përbashkët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA