Turqi, shitja e grupit mediatik “Dogan” ul besimin e publikut në media

23/03/2018 13:14

Daniel Heinrich, Deutsche Welle – Blerja e grupit të pavarur mediatik “Dogan Group” nga një kompani e afërt me presidentin turk, Rexhep Tajip Erdogan, ka shkaktuar zemërime dhe pakënaqësi në Turqi. A tregon kjo lëvizje që medias së pavarur në Turqi po i vjen fundi?

Gazetari i njohur turk, Kadri Gursel, shprehu mendimin e shumë gazetarëve të tjerë në Turqi kur shkroi në Twitter se blerja e “Dogan Group” tregonte që industria e masmedias po vihej nën kontrollin e plotë politik të presidentit Erdogan.

Reagimi i tij është i kuptueshëm. “Dogan Group”, përveç kanalit “CNN Turk” ka edhe një nga gazetat më të shitura, “Hurriyet” , e cila ka edhe një version në anglisht, “Hurriyet Daily News”; gjithashtu gazetën “Posta”, gazetën sportive “Fanatik” dhe televizionin “Kanal-D”, një grup që më parë shihej si kritik ndaj qeverisë. Por blerësi i ri, “Demiroren Holding”, thuhet se ka lidhje të afërta me presidentin turk, Rexhep Tajip Erdogan.

“Një ditë e zezë për lirinë e shtypi”

Në një intervistë me “Deutsche Welle”, Christian Mihr, drejtori ekzekutiv i “Reporterë pa Kufij” në Gjermani tha se kjo blerje ishte “një ditë e zezë për lirinë e shtypit”.

“Është një kthesë e madhe për median në Turqi”, tha ai. “Sigurisht që gazetarët e këtyre medieve përballeshin vazhdimisht me censurë dhe vetëcensurime, të cilat nuk i lejonin të kalonin shumë caqe. Megjithatë, ‘Dogan Group’ shihej si media e pavarur dhe komerciale”.

“Kjo shitje është goditje e rëndë”, shton Mihr, “në radhë të parë sepse gazetat e fundit të pavarura, si ‘Cumhuriyet’, ‘Evrensel’ dhe ‘BirGun’ kanë një numër shumë të ulët shitjesh, rreth 45,000 kopje në ditë. ‘Dogan Group’ kishte shumë më tepër”.

Mungesa e ‘pushtetit të katërt’

Eksperti për çështjet me Turqinë, me banim në Hamburg, Jasar Ajdin, ka një pikëpamje më të matur. Ai thotë se nuk sheh ndonjë protestë që të përhapet mes shoqërisë turke. Siç shpjegon në një intervistë për “Deutsche Welle”, njerëzit në Turqi janë mësuar me përzierjen e politikës dhe biznesit në media.

Eksperti për çështjet për Turqinë me banim në Hamburg, Jasar Ajdin: “Media në Turqi është larg funksionimit si pushtet i katërt”

“Si mund ta përmbushë misionin e vet një media si ‘Dogan Group’, kur ka interesa në sektorë të tjerë industrialë? Kur investimet e tyre e bëjnë të detyrueshme që të kenë marrëdhënie të mira me qeverinë? Kjo ndërthurje e medias, politikës dhe biznesit, bën që media të përdoret si mjet që favorizon interesat e pronarëve. Mediat turke janë shumë larg funksionimit si pushtet i katërt”, thotë Ajdin.

Konformiteti çon drejt vetëcensurimit

Sektori i Monitorimit të Pronësisë së Mediave në organizatën “Reporterë pa Kufij” mbështet pikëpamjet e Ajdinit. Organizata nisi një projekt tre-mujor për të hetuar strukturat ligjore dhe për pronësinë e 46 mediave më të përdorura në Turqi.

“Konformiteti politik dhe ekonomik në Turqi çon në mënyrë të pashmangshme drejt vetëcensurimit, me gazetarë që nuk duan të humbin vendet e punës”, thotë Evren Gonul, i cili ka punuar me këtë projekt si koordinator i organizatës partnere turke, “Bianet”. “Nëse do të nxjerrësh jetesën me këtë karrierë, nuk e përballon dot të jesh kritik ndaj qeverisë. Shumicën e rasteve qeveria nuk ka pse merr fare masa për të komanduar median. Presionet ekonomike japin më shumë rezultate”.

Gazetarët kanë prirjen të ndjekin linjën e qeverisë

“Demiroren Holding” është një shembull i qartë i ndërthurjes së medias, politikës dhe bizneseve në Turqi. Është kompani shumë aktive në industrinë e energjisë, ndërtimit dhe turizmit. Korporata “Dogan Group”, që thuhet se do të marrë 890 milionë Euro për shitjen, është gjithashtu shumë aktive në sektorët e energjisë dhe industrisë. Struktura të tilla pronësie kanë bërë që “Reporterët pa Kufij” ta renditin Turqinë të 155-tën mes 180 vendeve nga e gjithë bota për sa i përket lirisë së shtypit.

 

Gazetaria mund të jetë biznes i rrezikshëm në Turqi — gazeta “Cumhuriyet” ka rritur nivelin e sigurisë në zyra

“Shitja s’ka për ta ndryshuar shumë renditjen e Turqisë”, thotë Mihr. Ai pret që media turke të vazhdojnë ta ndjekin linjën e qeverisë në përmasa edhe më të mëdha në të ardhmen. “I mirëpres surprizat, por unë shoh që gazetaria do të vazhdojë të jetë po njësoj siç janë shumë media të tjera tani, që kanë lidhje të ngushta me qeverinë turke. Kjo do të thotë që nuk do ta kritikojnë shumë për ngjarjet brenda në Turqi, dhe nuk do ta kritikojnë fare për vendimet dhe politikat e qeverisë”, thotë Mihr.

Përqendrimi te rrjetet shoqërore

Eksperti i çështjeve për Turqinë, Ajdin, thotë se gazetaria e njehsuar me qeverinë do t’i shtojë prirjet e tanishme të turqve për sa i përket konsumit mediatik. “Ka shumë mosbesim nga njerëzit te mediat. Shumë janë të zhgënjyer me gazetarinë dhe shitjet e tyre sa vijnë e bien. Gazetaria cilësore është diçka e rrallë në Turqi. Kjo shtyn që gjithnjë e më shumë njerëz të duan t’i marrin lajmet nga rrjetet shoqërore”, thotë ai.

Por qeveria turke po e zgjeron kontrollin edhe aty. Të mërkurën, parlamenti turk miratoi një ligj që detyron dhjetëra faqe interneti të licencohen, duke u dhënë autoriteteve më shumë kontroll në internet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA