Një ditë përpara asaj që po lakohet, në vazhdën e disa takimeve të dështuara, si data e mbajtjes së seancës së Demarkacionit, Kosovën e viziton ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Wess Mitchell.
Ai e nis nga Prishtina turneun që do ta çojë në Shkup, Beograd, Athinë dhe Nikozi, e që zgjat deri më 17 mars.
Mitchell do të takohet me një sërë zyrtarësh të lartë vendas, përfshirë presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin Ramush Haradinaj. Qëllimin e kësaj ndalese e shpjegon qartë njoftimi i Departamentit të Shtetit.
Mitchell, – thuhet aty, – do të inkurajojë Qeverinë e Kosovës që të arrijë përparim në dialogun me Serbinë, të forcojë sundimin e ligjit, të promovojë zhvillimin ekonomik dhe të kapërcejë sfidat rajonale në interes të stabilitetit dhe të integrimit në Perëndim.
Më 14 mars, zyrtari i lartë i DASH-it do të jetë në Beograd, ku do të përcjellë gjithashtu një apel për qeverinë serbe, që ta çojë përpara normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, të realizojë reformat e duhura për synimin e anëtarësimit në BE dhe të mbështesë qëndrueshmërinë rajonale.
Diplomati, i cili e mori këtë detyrë nëntorin e vitit 2017, ka në plan të vizitojë edhe Greqinë e Qipron. Ndërkohë, senatori demokrat amerikan, Chris Murphy ndodhet në Maqedoni, ku të dielën në mbrëmje u prit nga kryeministri Zoran Zaev.
Murphy, anëtar i nënkomisionit për Marrëdhënie me Europën dhe Bashkëpunimin e Sigurisë Rajonale, e bëri të qartë përpara nisjes se do të diskutojë gjatë kësaj ndalese shqetësimet mbi diskriminimin e shqiptarëve.
Top Channel