Ndryshimet në statut dhe platformat për riorganizimin e PD-së nuk janë të vetmet që do të zënë kohën e debatit partiak deri në fund të prillit, kur dhe do të mblidhet Kuvendi Kombëtar. Një çështje që po përcillet me shqetësim është edhe nëse Kuvendi aktual do të ndryshojë vetëm statutin apo do të zgjedhë edhe organet e reja drejtuese për katër vitët që vijnë. Për sekretarin e përgjithshëm, Arben Ristani ky i prillit duhet t’i bëjë të dyja.

“Mendimi im personal është që Kuvendi të vendosë për të miratuar ndryshimet statutore dhe më pas të zgjidhet dhe Këshilli i ri Kombëtar i PD, i cili më pas do të zgjedhë organet drejtuese deri në qelizën bazë të saj” , u shpreh Arben Ristani.

Kjo do të ishte një tjetër shkelje rregulli sipas Genti Malkos, i cili përfaqëson zërin kritik në grupin e punës që ngriti kryesia.

“Kemi thënë ke bërë keq listat nuk ke pyetur institucionet. Ke bërë marrëveshje, s’ke pyetur organet vendimmarrëse. Cili qenka qëllimi që justifikova mjetin në këtë rast për të dalë prapë nga rregulli?!”, tha Genti Malko.

Argumenti që jep Ristani është se Kuvendi mund ta bëjë këtë veprim sepse është brenda mandatit, që i përfundon në shtator.

Ristani: Kuvendi duke qenë brenda mandatit të tij është organi më i lartë vendimmarrës i PD dhe duke qenë brenda mandatit të tij është i lirë dhe sovran të marrë çdo vendim që ai e gjykon të arsyeshëm dhe që i vlen PD. Është maksimalisht përfaqësues me një nr me disa mijë vetë.

Malko: Konkurrenca e ndershme nuk bëhet invers: zgjedhim një herë Këshillin Kombëtar, Kryesinë, biem rehat të gjithë, pastaj hajde bëjmë një marrëveshje për të zgjedhë degët, jo more, do ta fillojmë siç bëhet.

Linja zyrtare në parti mbështet idenë e rioargnizimin të shpejtë të partisë nga qendra në bazë, në mënyrë që të nisë herët përgatitja për zgjedhjet vendore të 2019, por mendimi alternativ është ky: “Në rast se bën një proces zgjedhor të besueshëm brenda strukturave ku nuk ka asnjë palë që thotë mu hëngër e drejta, procesi ishte i manipuluar, kur del nga ky proces zgjedhor struktura del solide, e ke bërë gati për zgjedhjet e ardhshme”, tha Malko.

Vendimi përfundimtar se cila do të jetë axhenda e Kuvendit Kombëtar do të merret nga Kryesia dhe Këshilli Kombëtar, propozimet e të cilave i kalojnë edhe Kuvendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA