Ushtria siriane ka avancuar në mënyrë domethënëse në përpjekjen e saj për të marrë nën kontroll Ghoutën Lindore, që kontrollohet nga rebelët.
“Trupat kanë izoluar qytetin më të madh në rajon, Douma”, tha Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut, organizatë me seli në Londër.
Avancimi do të ndajë efektivisht rajonin në tri pjesë. Qeveria siriane nisi një ofensivë madhore muajin e shkuar për të rimarrë Ghoutën Lindore, zonën e fundit të madhe nën kontrollin e rebelëve, afër kryeqytetit Damask.
Që prej atëherë, ato kanë marrë kontrollin e gjysmës së rajonit, një avancim që mendohet se i ka marrë jetën më shumë se 900 civilëve.
Një strategji e qartë e ofensivës së qeverisë siriane në Ghoutën Lindore ka qenë ndarja e enklavës në sektorë të izoluar dhe ndërprerja e mbështetjes dhe furnizimeve për rebelët, e tani duket se forcat qeveritare e kanë arritur këtë qëllim.
Qeveria siriane ka raportuar se ka marrë nën kontroll qytetin qendror Misraba, e ka avancuar më tej në zonat rurale përreth. Misraba gjendet në trajektoren kryesore që lidh Doumën në veri me një tjetër qytet të madh, Harasta, në perëndim.
Nëse konfirmohet, avancimi e lë enklavën të ndarë në tri pjesë; Douma dhe rrethinat e saj në veri, Harasta perëndimore; si dhe pjesa tjetër e territorit në jug.
Të premten, një autokolonë e Kombeve të Bashkuara ia doli të shpërndante ndihma në Ghoutën Lindore, pasi përpjekjet e mëparshme ishin penguar nga bombardimet. Rreth 400 mijë persona besohet se vazhdojnë të jetojnë në zonë.
Top Channel