Mashtrime me mallrat kineze, BE “gjobit” Britaninë me 2.7 mld euro

08/03/2018 19:00

Komisioni Europian, përmes një letre i kujtoi qeverisë britanike se i detyrohet 2,7 miliardë euro tarifa doganore për këpucë dhe tekstile të importuara nga Kina.

Shifra kolosale nuk ka të bëjë aspak me BREXIT dhe faturën e tij financiare, pasi BE akuzon Britaninë se nuk ka bërë thuajse asgjë për të parandaluar mashtrimet me doganat, pavarësisht se është paralajmëruar disa herë.

Për këtë çështje, zyra europiane antimashtrim ka nisur një procedurë ligjore që mund të përfundojë në gjykatën evropiane të drejtësisë. Sipas hetimit të BE, Britania e Madhe është një qendër e rëndësishme për atë që quhet mashtrimi i nënvlerësimit, përmes së cilit importuesit përfitojnë duke shmangur taksat doganore dhe taksa të tjera.

Hetuesit europianë zbuluan se grupe të krimit të organizuar kanë përdorur fatura të rreme për të zhvlerësuar mallrat që vinin nga Kina, shumë prej të cilave të destinuara për tregjet e zeza në pjesa të tjera të BE.

Sipas BE, malli hynte në Britani dhe deklarohej me një fraksion të vlerës dhe pasi shmangeshin miliarda në taksa, shpërndahej në Union, ndërsa autoritet britanike nuk shqetësoheshin të hetonin.

Por, sipas Londrës zyrtare, vlerësimi i BE është plotësisht i gabuar dhe si rrjedhim Britania e Madhe nuk e njeh atë. Autoritetet britanike thanë se e trajtojnë me shumë seriozitet mashtrimin e doganave, prandaj Brukseli bën mirë të kontrollojë shifrat përpara se të dalë në përfundime të gabuara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA