Raporti zyrtar i policisë britanike zbulon se, në tentativën për vrasjen e ish-spiunit rus dhe vajzës së tij është përdorur një agjent nervor.
Sergei dhe Yulia Skripal u gjetën të pandërgjegjshëm në Salisbury pasditen e së dielës, e prej atëherë janë në gjendje kritike për jetën në spital.
Një oficer policie, që u ndodh i pari në vendngjarje, është shtruar gjithashtu në spital dhe në gjendje kritike, deklaroi ndihmëskomisioneri i njësisë Antiterrorizëm, Mark Rowley. Ai nuk mundi gjithsesi të konfirmonte ekzaktësisht se çfarë lloj substance është përdorur.
“Pasi kemi dalë në konkluzionin se një agjent nervor është shkaku i simptomave të tyre, gjë që na çon neve ta trajtojmë këtë si tentativë për vrasje, mund të konfirmoj gjithashtu se ne besojmë që dy personat e ndierë keq papritur kanë qenë shënjestra specifike e keqbërësve”, deklaroi ai.
Në fund, ai njoftoi se nuk ka asnjë provë që substanca e përdorur të përbëjë rrezik shëndetësor për publikun.
Top Channel