Fillimisht përmes një statusi në rrjetet sociale e më pas gjatë fjalës së mbajtur në takimin e Sofjes me zyrtarët më të lartë të BE-së dhe udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor, Kryeministri Edi Rama theksoi se kapja e 613 kilogramëve kokainë në Durrës ishte tërësisht meritë e autoriteteve shqiptare ligjzbatuese.
Shefi i Qeverisë tha gjithashtu se për këtë aksion kishte marrë vlerësime nga partnerët ndërkombëtarë.
Megjithatë, nga Kolumbia fillimisht ushtria vendase përmes një deklarate të shkurtër dhe më pas edhe mediat thonë se ngarkesa është sinjalizuar prej andej.
“Pas një operacioni të mirëkoordinuar mes Marinës Kombëtare Kolumbiane, agjencive ndërkombëtare dhe Policisë Shqiptare, 613 kilogramë kokainë u kapën në Portin e Durrësit në Shqipëri”, thotë ushtria kolumbiane.
Ushtria kolumbiane shton se droga e kapur ishte fshehur në dyshemenë e dyfishtë të një kontenieri të mbushur me banane dhe para se të kapej në Shqipëri, anija me sasinë e drogës ishte nisur në mes të janarit nga Kolumbia e më pas kishte ndaluar në disa porte të tjera europiane.
Top Channel