Disa orë pas sfidës më Lazion në ‘Olimpico’, por edhe disa orë para derbit ndaj Interit, në plan për t’u luajtur të dielën, Bonucci rrëfen aventurën e tij te kuqezinjtë dhe vlerëson punën e skuadrës e të trajnerit Gattuso.
“Kualifikimi në finalen e Kupës ishte një sukses shumë i rëndësishëm, pasi na dha një tjetër leksion, se duke vuajtur së bashku, mund të arrijmë gjëra të mëdha. Vinim pas një sfide shumë impenjative me Romën, por treguam vendosmëri dhe morëm një kualifikim më se të merituar.Shpresoj të japim maksimumin dhe të fitojmë Kupën, por nuk do ta quaja hakmarrje ndaj Juventusit, pasi unë u largova me vullnet të plotë nga bardhezinjtë. Ata janë një skuadër e konsoliduar dhe janë favoritë për të triumfuar, por edhe ne kemi mundësitë tona dhe nëse impenjohemi maksimalisht, mund t’ia dalim”, tha Bonucci.
Në prag të derbit, kapiteni karikon skuadrën dhe kërkon një fitore, për të treguar se Milani e meriton kualifikimin në Champions.
“Derbi është derbi dhe mbetet gjithmonë një sfidë për t’u fituar. Kemi fituar shumë besim dhe jam i bindur që do të bëjmë një ndeshje mjaft të mirë edhe të dielën në mbrëmje. Kjo skuadër është për Champions dhe këtë e them me bindje. Shpresoj të fitojmë kundër Interit dhe të luajmë shanset tona për një nga 4 vendet e para.Unë gjithmonë kam pasur besim te kjo skuadër dhe te ky grup, pavarësisht fillimit të vështirë. Gjithsesi, Gattuso ka arritur të nxjerrë në pah më të mirën e ekipit dhe është shpërblyer me këto rezultate. Ai është shumë kërkues dhe na injekton shumë grintë e besim. Më kujton shumë Conten te Juventusi, por edhe te Kombëtarja Italiane”, u shpreh kapiteni i Milanit.
Top Channel