Sebastian Vettel ka ritheksuar ambiciet e skuadrës së tij për të rikthyer në Maranelo një titull kampion që mungon prej 10 vjetësh te Ferrari. Piloti gjerman shihet si kërcënimi i vetëm real i rrëzimit të Lewis Hamilton nga froni, edhe pse në sezonet e fundit skuadra e Mercedes ka qenë gjithmonë në avangardë të risive në Formula 1.
Vitin e kaluar Vettel e kërcënoi fushatën e Hamilton për titullin por vetura nuk ishte e qëndrueshme dhe regjistroi jo pak dështime. Britaniku mori titullin dy gara nga fundi i kampionatit por tashmë 30-vjeçari Vettel shpreson se Ferrari e ka reduktuar hendekun me kampionët në fuqi. Sipas pilotit gjerman, skuadra italiane ka shanse të rikthejë titullin e parë pas triumfit të Kimi Raikkonen në 2007.
“Është e paevitueshme pesha e viteve por unë shpresoj se Ferrari nuk do të presë një vit tjetër për titullin. Dua të bëj të pamundurën që të sjell kampionatin në Maranelo. Kjo është ambicia jonë e madhe. Sigurisht që Mercedes është favorite por ne mund të jemi shumë pranë, si vitin e kaluar. Është sezon i gjatë dhe deri në nëntor gjithçka mund të ndodhë”, tha Sebastian Vettel.
Testet në cirkutin e Katalonjës u cenuan nga reshjet por do të duhen ende 3 javë deri në premierën sezonale. Vettel dhe Hamilton do rinisin betejën për titullin në garën e parë të kampionatit në Çmimin e Madh të Australisë në 25 Mars.
Top Channel