Arritjen më të madhe e pati me fitoren e garëz në Monza pasi u nis nga vija e parafundit e garës, por Andrea Kimi Antonelli shënoi një arritje tjetër po kaq të rëndësishme; piloti i Mercedes me suksesin e tij në këtë Çmim të Madh bëri që të shpërthejnë në festë edhe tifozët e Ferrarit, pas një të diele krejtësisht për t’u harruar për Kokëkuqen italiane.

Andrea Kimi Antonelli ia doli të bëjë diçka të vështirë për t’u imagjinuar po të mendosh se ferraristët kanë sy dhe zemër vetëm skuderinë e famshme me ngjyrë të kuqe. Pasi derdhën lotë të hidhur për daljen nga pista të Leclerc dhe pasi kuptuan se Hamilton nuk do të fitonte e as nuk do të ngjitej në podium, tifozët e Ferrarit filluan të mbështesin Andrea Kimi Antonellin.

Dhe kështu, në vend që të braktisnin tribunat siç ndodh në stadiume kur skuadra e zemrës është një hap larg disfatës, tifozët e Ferrarit nisën të mbështesnin pilotin e Mercedes në duelin me Russell, nisën të valëvisnin flamurin italian në çdo kalim të Antonellit para tyre, e nxitën deri në kalimin e vijës së finishit me ovacione dhe u ngritën në këmbë për të kënduar me të himnin e Italisë

Dhe pas festimeve zyrtare, erdhi edhe përqafimi i valës së madhe të tifozëve në Monza. Sigurisht që Ferrari vjen përpara gjithçkaje, por është e pamundur që në Itali të mos e duan këtë djalosh që po shkruan historinë e sportit në vendin e Apenineve edhe pse drejton një Mercedes. Për momentin…

Top Channel